Turqia synon vendosjen e 20 gigavat kapaciteteve prodhuese bërthamore deri më 2050
July 19, 2023

Leximi i këtij artikulli zgjatë: 3 minuta
Turqia është duke përgatitur projekte energjetike me vlerë të përgjithshme prej 200 miliardë dollarësh amerikan, ka thënë ministri i ri i këtij vendi për energji dhe burime natyrore, Alaprslan Bayraktar.
Përveç centralit bërthamor Akkuyu bashkë me Rosatom të Rusisë, që po vazhdon ndërtimin, qeveria ka thënë se planifikon ndërtimin e edhe dy centrale konvencionale bërthamore si dhe disa reaktorë të të vegjël modular, raporton Balkan Green Energy News.
Njëri nga centralet e reja planifikohet të ndërtohet në Sinop ndërsa tjetri në Thrace. Ministri ka thënë se tashmë autoritetet kanë filluar diskutimet me Rusinë, Korenë Jugore dhe Kinën për ndërtimin e këtyre centraleve.
Kësisoji, Turqia synon të ketë rreth 20 gigavat kapacitete totale të prodhimit të rrymës nga burimet bërthamore deri në vitin 2050, ka konfirmuar ministri Bayraktar.
Ministri tutje ka shtuar se synon që Turqia të bëhet neutrale ndaj karbonit në vitin 2053, dhe kjo nënkupton edhe investimet prej rreth 200 miliardë dollarësh në projekte energjetike, transmeton Kosovo.Energy.
Ministri gjithashtu ka thënë se Turqia është duke vazhduar diskutimet me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar për mundësinë e vendosjes së reaktorëve të vegjël modular, madje, edhe për prodhimin e tyre brenda vendit.
Sa i përket burimeve të ripërtëritshme të energjisë, ministri ka konfirmuar se Turqia po synon të vendosë edhe rreth 18 gigavat kapacitete të erës në sipërfaqe të tokës dhe det të hapur në 12 vitet në vijim, dhe kësisoji të ketë rreth 30 gigavat kapacitete të prodhimit të rrymës nga era deri më 2030.
Synimet për burimet solare janë edhe më ambicioze, apo vendosjen e rreth 3 deri në 3.5 gigavatëve në vit deri në vitin 2035, për të vendosur në total rreth 40 gigavat kapacitete prodhimi të rrymës nga dielli.
/Kosovo.energy