Search

Turqia shton 1.3 gigavat kapacitete solare vetëm gjatë muajit prill

May 20, 2024


Kapacitetet fotovoltaike në Turqi kanë arritur në 13.9 gigavat në fund të muajit prill, apo 1.3 gigavat më shumë se në fund të muajit mars. Kjo rritje u nxit nga prodhuesit industrial që po vendosin impiante fotovoltaike për nevojat e tyre.

Korporata turke për tranmision të energjisë elektrike ka thënë se kapacitetet solare në këtë vend kanë arritur në 13.9 gigavat në fund të muajit prill, ka raportuar Anadolu Agency. Vetëm gjatë muajit prill, Turqia ka shtuar 1.3 gigavat kapacitete fotovoltaike.

Thjeshtësimi i procedurave ligjore në Turqi dhe mekanizmi evropian për dioksid karboni kanë motivuar ndërmarrjet të ndërtojnë impiantet fotovoltaike për vet-konsum, raporton Kosovo.Energy.

Pak vite më herët Turqia ka braktisur rregullën që ndërmarrjet të kenë jo më shumë se 5 megavat kapacitete të energjisë elektrike të instaluara. Një nxitje tjetër u promovua në fund të muajit gusht, kur prosumatorët u lejuan të konsumojnë energjinë elektrike të prodhuar nga impiante në zona të ndryshme distribuimi brenda Turqisë.

Turqia ka thënë se do të vendosë rreth 32.9 gigavat kapacitete fotovoltaike energjetike deri në vitin 2030, dhe rreth 52.9 gigavat në fund të vitit 2035.