Turqia këtë vit ka blerë qymyrin e prodhuar në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia
20 Shtator, 2023
Leximi i këtij artikulli zgjatë: 3 minuta
Këtë vit, Turqia bleu nga Rusia qymyr të prodhuar në pjesët e aneksuara të Ukrainës me vlerë të paktën €13.38 milionë.
Kjo vjen nga të dhënat e doganave ruse të analizuara nga Reuters. Sipas raportimeve, në periudhën nga shkurti deri në korrik të këtij viti, rreth 160,400 ton qymyr nga rajonet lindore të Ukrainës Donetsk dhe Luhanskut arritën në Turqi.
Turqia ishte destinacioni kryesor i eksportit për qymyrin nga rajonet e aneksuara të Ukrainës, me një pjesë prej 95%.
Në gjysmën e parë të vitit, Ankaraja prodhoi 31.5TWh energji elektrike nga qymyri i importuar, që është 25% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Shitësit e qymyrit janë të regjistruar në Rusi në territoret e aneksuara të Ukrainës, dhe blerësit nuk janë kompani turke, por kompani të regjistruara në Hong Kong, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe destinacionet në det të hapur si Belize ose Ishujt e Virgjër Britanikë, shton analiza.
Turqia, anëtare e NATO-s, mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë ose nuk ka kufizuar tregtinë me Moskën ose zonat e kontrolluara nga Moska të Ukrainës. //Telegrafi