Search

Trhulj: Kriza energjetike nuk është një ‘gjendje e jashtzakonshme’, por një realitet i ri

June 02, 2022


Ndërmarrjet energjetike në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të ballafaqohen me pasoja të mëdha pasi kanë importuar energji elektrike në çmime shumë më të larta se ato me të cilat ua shitnin konsumatorëve fundor, ka thënë Jasmina Trhulj, shefe e njësisë për energji elektrike në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

Ajo shtoi se kriza e vazhdueshme e energjisë nuk është një gjendje e jashtzakonshme, por një realitet i ri, ka raportuar Balkan Green Energy News.

Para krizën pandemike, krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë, çmimet e energjisë elektrike në rajon ishin përafërsisht 50 euro për një megavat orë, dhe ato u rritën shumë, në disa raste edhe në 540 euro për megavat.

Për momentin, çmimet sillen rreth 200 euro për megavat, ndërsa parashikimet thonë se në vitet në vijim, çmimet priten të zbresin në rreth 150 euro për megavat.

Në të njejtën kohë, Trhulj potencoi se përkundër kësaj rritjeje, çmimi i rrymës për konsumatorët fundor në këto vende ka mbetur i pandryshuar. Sipas saj, kjo situatë do të sjellë shumë presione tek kompanitë energjetike në rajon.

Që nga 1 janari, çmimi i rrymës me pakicë ka ndryshuar vetëm në Maqedoni të Veriut, ku rryma u shtrenjtua për 11% për të gjitha amvisëritë, ka thënë Trhulj gjatë diskutimit në konferencën NET 2022, të organizuar nga ndërmarrja malazeze Elektroprivreda Crne Gore.

Ajo ka thënë se presionet ishin shumë të mëdha në kompanitë, e posaqërisht në ato që janë importuese të energjisë elektrike, sikurse Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova.

Këto vende kanë importuar energji elektrike në çmime prej tre deri në pesë herë më të larta, ndërsa çmimi i rrymës për konsumatorët fundor mbeti i pandryshuar. Ajo ka thënë se kjo situatë do të rrezikojë operimin e këtyre kompanive.

Ajo ka ripërsëritur se gjendja e sektorëve të energjisë në këto vende nuk është e jashtzakonshme, por një realitet i ri.

Trhulj tha edhe pse rajonit të Ballkanit Perëndimor i mungojnë reformat sistematike, ndërsa ndryshimet e deritanishme kishin për qëllim vetëm lehtësimin e pasojave të krizës energjetike.