Search

Trepça rikthen mbi 1250 hektarë prona si dhe shënon rritje në prodhim edhe eksport të xeheve

March 03, 2026


Ndërmarrja Trepça ka shënuar një nga periudhat më të suksesshme në procesin e deklarimit, rregullimit dhe rikthimit të pronës publike, rritjes së prodhimit dhe forcimit të performancës financiare, duke rikthyer mbi 1250 hektarë tokë dhe duke dyfishuar të hyrat nga qiraja.

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Trepça, Faton Ahmeti, tha për KosovaPress se gjatë vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026 janë arritur rezultate të prekshme në konsolidimin ligjor të pronave, rritjen e prodhimit dhe menaxhimin e aseteve strategjike të ndërmarrjes.

“Realisht ka filluar në fund të vitit 2024, por gjatë vitit 2025 ne kemi realizuar një progres të jashtëzakonshëm në procesin e deklarimit dhe rregullimit të pronës publike në Ndërmarrjen ‘Trepça’ Sh.A. Për momentin, ne kemi rikthyer në bazë të informatave që kemi, mbi 95% e titullarëve janë të rregulluar, do të thotë janë rregulluar me sukses, pra kemi vendosur një qartësi ligjore mbi çështjen e pronës. Për momentin i kemi rikthyer mbi 1250 hektarë tokë, realisht të përbëra prej 2124 parcelave në 11 komuna të Kosovës, të vlerësuara sipas konstatimit në pronë afro 400 milionë euro. Në fillim të këtij viti 2026 kemi identifikuar edhe 85 parcela, realisht që bëjnë pjesë diku mbi 38 hektarë tokë dhe jemi në fazën e hulumtimit të parcelave të reja”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, janë identifikuar dhe rikthyer prona në Mitrovicë të Jugut dhe të Veriut, ndërsa disa prej tyre janë vënë në shfrytëzim të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera publike.

“Realisht ne i kemi të identifikuar Mitrovicën e Veriut dhe Mitrovicën e Jugut. Për momentin i kemi identifikuar disa prona që më herët nuk kanë qenë të identifikuara. Realisht kemi fletën poseduese dhe kopjen e planit për pjesën veriore. Gjithashtu, këtu duhet të theksoj se pas kthimit të këtyre pronave ne e kemi ndihmuar Policinë e Kosovës: mbi 5000 metra katrorë i kemi dhënë në shfrytëzim për Policinë e Kosovës që të shfrytëzohen për zyra. Gjithashtu i kemi ndarë edhe dy objekte që janë në pronësinë e Ndërmarrjes Trepça. Kemi bërë një marrëveshje memorandumi me Ministrinë e Punëve të Brendshme, realisht këto do të shfrytëzohen, sipas informatave që i kemi, ose për gjykata ose për institucione të tjera publike”, thakryeshefi i Ndërmarrjes “Trepca“, Faton Ahmeti

Në aspektin financiar, Ahmeti bëri të ditur se të hyrat nga qiraja janë rritur për mbi 116%.

“Në aspekt të hyrave, ne kemi realizuar një rritje jashtëzakonisht të madhe, mbi 116 për qind rritje të të hyrave nga qiraja. Konkretisht, mund të themi se më herët kemi pasur të hyra rreth 28 mijë euro mujore, ndërsa tash i kemi afro 70 mijë euro të hyra mujore, dhe kjo është duke shkuar çdo muaj në rritje, për arsye se vetëm këtë muaj kemi bërë diku mbi 25 shpallje të reja, të cilat në mënyrë automatike do të reflektojnë në rritjen e të hyrave nga qiraja“, tha Ahmeti.

Sa i përket prodhimit, kryeshefi i Ndërmarrjes “ Trepça“ ka deklaruar se janë tejkaluar planet vjetore.

“Po, sa i përket prodhimit, ne kemi realizuar planin në eksploatimin e xehes mbi 105 për qind, e kemi realizuar planin në prodhimin e koncentratit mbi 115% dhe e kemi realizuar planin e biznesit në prodhimin e zinkut mbi 100%. Nëse e krahasojmë tash vitin 2024 me vitin 2025, ne në çdo pozicion kemi një rritje të jashtëzakonshme. Sa i përket rritjes në eksploatimin e xehes, e kemi diku mbi 57 mijë ton rritje, apo mbi 61%. Rritje kemi edhe në prodhimin e koncentratit të plumbit, rreth 117%, gjithashtu edhe në prodhimin e zinkut kemi mbi 86%“, përfundoi ai.

Me rikthimin e mbi 1250 hektarëve tokë, rregullimin ligjor të titullarëve dhe rritjen e ndjeshme të të hyrave dhe prodhimit, Ndërmarrja “Trepça” Sh.A. ka konsoliduar pronësinë publike dhe ka forcuar menaxhimin e aseteve strategjike. Procesi i digjitalizimit, bashkëpunimi me institucionet publike dhe organizimi i pronave e vendosin Trepçën në një pozicion më të qëndrueshëm financiar dhe operativ, duke hapur rrugë për zhvillim të qëndrueshëm në vitet e ardhshme.

/Telegrafi