Search

Tregu mbetet i hapur:  ZRRE do të shfuqizoj nenet, mirëpo liberalizimi nuk kthehet mbrapa

November 19, 2025


Zyra e Rregullatorit për Energji përmes një komunikate drejtuar mediave thotë se mirëpret Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës P.A.nr.18/2025 lidhur me implementimin e detyrimeve që rrjedhin nga Ligji për Energjinë Elektrike.

Në njoftim thuhet se bazuar në pikën IV të Aktgjykimit është hudhur poshtë kërkesëpadia e paditësit përmes së cilës është kërkuar shfuqizimi dhe shpallja e paligjshme e Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, poashtu është hudhur poshtë edhe kërkesëpadia për korrigjimin e faturave, si dhe shfuqizimin e të gjitha kontratave individuale për konsumatorët jofamiljar, si të palejueshme.

Zyra e Rregullatorit për Energji, ZRRE, thekson se “Rrjedhimisht, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, krahas vlefshmërisë së kontratave ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi”.

“Poashtu Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar dy dispozita të Udhëzuesve për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të viteve 2017-2019 pasi që ka konstatuar se ato nuk janë të harmonizuara me legjislacionin e energjisë. ZRRE është duke ndjekur procedurat e brendshme ligjore për shfuqizimin e këtyre dispozitave”, vijon njoftimi.

Ndër të tjera thuhet se sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, të drejtën për furnizim me energji elektrike me tarifa të rregulluara e gëzojnë vetëm konsumatorët që kualifikohen për Shërbim Universal.

“E drejta e furnizimit me tarifa të rregulluara nga ZRRE, në bazë të vendimit të ZRRE-së për tarifa me pakicë për vitin 2025 – që është konsideruar i ligjshëm nga Gjykata – nuk është bazuar në dispozitat e shfuqizuara të Udhëzuesit”, vijon njoftimi.

Më tej, thuhet se Gjykata ka vërtetuar se e drejta për furnizim me tarifa të rregulluara të energjisë elektrike u takon vetëm konsumatorëve të kualifikuar për Shërbim Universal, që është në përputhje të plotë me Vendimin e Bordit të ZRrE-së për tarifat me pakicë për vitin 2025 dhe Direktivën për Energji Elektrike të Bashkimit Evropian 2009/72/EC.

“ZRRE sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, ka për obligim të përcaktojë tarifa të energjisë elektrike me pakicë vetëm për konsumatorët e energjisë elektrike që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, dhe jo për konsumatorët që nuk i plotësojnë kriteret e furnizimit me shërbim universal. Rrjedhimisht, Ligji për Energjinë Elektrike përcakton që këta konsumatorë duhet të furnizohen në treg të hapur. Furnizimi me energji elektrike në treg të hapur i këtyre konsumatorëve është detyrim ligjor që tejkalon kompetencat e ZRRE-së”, bëhet e ditur në komunikatë.

/Telegrafi