Search

Tregu i naftës në Kosovë: Ngritjet e çmimit në brusa globale reflektohen menjëherë në vend, por jo dhe zbritjet

June 19, 2025


Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka komentuar rritjen e fundit të çmimeve të naftës, duke e lidhur këtë zhvillim me tensionet e shtuara mes Izraelit dhe Iranit.

Ai theksoi se këto përplasje kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të naftës për shkak të rolit strategjik të Iranit në prodhimin dhe furnizimin e naftës nëpërmjet ngushticës së Hormuzit.

“Çdo tension në Lindjen e Mesme ndikon në çmimin e produkteve të tjera. Në momentin që filluan përplasjet, kemi një rritje mesatare të çmimit të naftës në tregjet botërore prej 10%,” deklaroi Misini.

Por sipas tij, problemi më i madh është mënyra se si po sillet tregu i naftës në Kosovë. Misini kritikoi ashpër kompanitë importuese, duke thënë se ato nuk ndjekin të njëjtat rregulla kur çmimet bien në tregjet ndërkombëtare.

“Kur bie çmimi në bursë, në Kosovë nuk reflektohet menjëherë. Por sapo të rritet, kompanitë që importojnë naftë e rrisin automatikisht edhe këtu. Kjo është e padrejtë dhe shqetësuese për bizneset dhe qytetarët,” u shpreh ai.

Misini kërkoi më shumë mbikëqyrje nga institucionet për të parandaluar abuzimet me çmimet dhe për të mbrojtur konsumatorët nga rritje të padrejta të kostos së karburanteve.

/Telegrafi