Search

Tregu i hapur i energjisë: Analistët parashkojnë çmimi prej 250€/MWh

May 07, 2025


Tregu i hapur i energjisë për bizneset pritet të jetë problem i madh, kjo për faktin se çmimi për MWh pritet të jetë 250€. Analisti Dardan Sejdiu ka thënë se ky çmim do ti dëmtoj seriozisht prodhuesit dhe bizneset.

“Prodhuesit dhe bizneset në Kosovë janë lënë në “tregun e hapur” të energjisë. Po në këtë “treg” s’ka konkurrencë, ka veç një ofertues, që e shet rrymën me mbi 250 €/MWh”, ka shkruar Sejdiu në një postim në Facebook.

Ai mori edhe një krahasim ku theksoi se Aurora Energy Research thotë që “për shkak të luhatjeve afatshkurtra dhe rritjes së çmimeve të lëndëve të para, çmimet pritet të qëndrojnë afër 100 €/MWh deri në vitin 2030. Mirëpo, në afatgjatë, çmimet bazë priten të jenë mes 70 – 80 €/MWh.”

“Në tregjet përreth, çmimi është rreth 100 € për MWh. Në Kosovë, mbi 250 €/MWh, pa zgjedhje, pa mbrojtje. Kjo s’është liberalizim, kjo është me ta lënë prodhuesin në mëshirë të fatit e tekeve të Çalik – Limak”, ka shkruar Sejdiu.

Analisti ka theksuar se në një ekonomi si e jona, ku industria është burim i punësimit, kjo rritje e çmimit të energjisë është e papërballueshme.

“Çmimi prej mbi 250 €/MWh, i rrit kostot e prodhimit, e vret shansin për eksport dhe detyron krejt industrinë prodhuese me mendu mbyllje ose largim. Kosova nuk ka luks me i pa këto pak fabrika tu u mbyllë njëra pas tjetrës.  Mbi 250 €/MWh për është çmim që do të na fundos përditë.  Nëse nuk veprohet tash, nesër do jetë vonë”, ka shkruar Sejdiu.

Ndryshe edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka theksuar krizën e afërt të biznesit në vend, si pasojë e çmimeve të reja të energjisë elektrike, pasi bizneset që kanë marrë ofertat e para nga furnizuesit e licencuar për daljen në tregun e lirë të energjisë, po përballen me çmime deri në 200% më të larta se sa ato që paguanin deri më tani.

Rafuna në një konferencë për media, paralajmëroi për rritje të inflacionit.

Ai kërkoi pezullimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë dhe shtyrjen për të paktën një vit të daljes së bizneseve me mbi 50 punëtorë në tregun e lirë.

/Telegrafi