Search

Trefishohe faturat e bizneseve – Çmimi në “Tregun e Lirë”  kosovar deri mbi 90% mëshumë se në vendet e rajonit

August 18, 2025


Çmimi së paku dyfish më i lartë i energjisë elektrike për prodhuesit vendor që kalojnë në tregun e lirë, pritet t’i ngre çmimet e produkteve, duke u bërë ata jo-konkurrentë me produktet që importohen në Kosovë, por jo-konkurrent edhe në Evropë. 

ZRRE paralajmëroi konsumatorët komercialë, të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar do të ndërpriten nga rrjeti energjetik nga 16 gushti.

Me kalimin në tregun e lirë energjetik për bizneset që kanë mbi 50 të punësuar apo mbi 10 milionë euro qarkullim, çmimi i energjisë thënë më së paku, është trefishuar. Kjo dëshmohet nga faturat e fundit të marra nga furnizimi me energji nga KEK-u, si furnizues i fundit.

E rritja e çmimit të energjisë si pasojë e vendimit të ZRRE-së në dy muajt e fundit ka qenë e papërballueshme për prodhuesit.

Përfaqësuesi i kompanisë prodhuese “Pestova”, Kushtrim Ajvazi është shprehur se se faturat e energjisë janë dyfishuar krahasuar me një vit më parë, dhe kjo ka sjellë pasiguri të madhe për shpenzimet e kompanisë.

“Ka shkaktuar sigurisht pasiguritë te pjesa e shpenzimeve, sepse planifikimet janë që kostoja e energjisë elektrike do të rritet mjaft nga informatat që kemi… Kemi pranuar faturën e KEK-ut, shohim që ka së paku dyfishim të energjisë elektrike në muajin qershor, krahasuar me muajin qershor të vitit të kaluar. Ndërkohë kur i kemi krahasuar edhe ofertat për treg të lirë në nivel vjetor del së paku trefishi i asaj që e kemi paguar deri më tani. Është kosto realisht e papërballueshme për sektorin prodhues, e posaçërisht edhe për pjesën e kompanisë tonë, do të na detyrojë t’i prekim çmimet e produkteve, sepse është kosto në nivel vjetor diku rreth 400 mijë euro rritje e faturës së energjisë elektrike në total shpenzimet e kompanisë”, thotë Ajvazi.

Sipas tij, me këto çmime të energjisë elektrike, në vendet e ndryshme evropiane do të jenë jo-konkurrentë.

Cikël i betejave ligjore në mes bizneseve dhe ZRRE-së

Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti thotë se vendimi i ZRRE-së i dëmton rëndë bizneset dhe ekonominë e vendit.

Megjithatë, shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale, ka vendos në favor të ZRRE-së.

Përfaqësues të bizneseve kanë paralajmëruar ankesa tjera në Gjykatën Supreme e Kushtetuese, derisa i kanë kërkuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që të mos e zbatojë këtë vendim derisa të përfundojnë kontestet gjyqësore.

Por ZRRE paralajmëroi konsumatorët komercialë, të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar, se do të shkëputen nga rrjeti energjetik nga 16 gushti.

Çmimi në “tregun e lirë” në Kosovë më i lartë se në shumë vende të rajonit dhe BE-së

Nëse bëhet krahasimin e çmimit të energjisë në Kosovë për bizneset, në krahasim me vendet e rajonit, por edhe më gjerë, është shumë më e lartë.

Çmimi për megavat për biznes në Kosovë është mbi 200€. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut është 110€, në Mal të Zi 110€ e në Serbi 159. Ndërsa në shtetet evropiane, për shembull në Gjermani, çmimi është 182€ euro, në Zvicër 150, Austri 170€, Francë 160€, derisa Kroacia e ka shumë më lirë, 120€.

Nëse krahasojmë çmimin në Kosovë me atë të Maqedonisë së Veriut si shtete fqinje, çmimi në Kosovë është më i lartë për afro 90% për qind, derisa kjo përqindje në krahasim me vendet e tjera është edhe më e madhe.

/Telegrafi