Search

Tërnava thotë se mungesa e bordit të ZRRE-së dhe ‘burokracia’ po vështirësojnë zhvillimin e projekteve solare

28 Korrik, 2021


Trim Tërnava nga kompania Jaha Solar tha se mungesa e bordit të ZRRE-së dhe burokracia po vështirëson zhvillimin e projekteve solare në Kosovë, ani pse rregulla për zhvillimin e këtyre projekteve është transparente dhe nuk le vend për afera korruptive apo keqpërdorim.

Tërnava i bëri këto komente gjatë ‘Forumit të Solareve në Kosovë 2021’ të bashkëorganizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe USAID në Kosovë, ku po diskutohen sfidat dhe zhvillimi i sektorit të energjisë solare në Kosovë, me fokus të vecantë në sektorin e ‘vet-konsumuesëve’.

‘Nuk është sekret që qasja ndaj prosumers në Kosovë prej fillimit ka qenë minimaliste sepse nuk ka pasë një politikë të qartë të aprovume rreth një cakut potencial për prosumers. Nuk ka qenë as në strategji mirë e specifikume si kategori’, tha Trim Tërnava nga Jaha Solar në fillim të diskutimit të tij, ndërsa po tregonte për listën e sfidave me të cilat ballafaqohen bizneset që zhvillojnë projekte solare në Kosovë.

Ndër sfidat e para të zhvillimit të projekteve solare, Tërnava theksoi burokracinë, ndërsa po sqaronte se edhe për kyqjen e një projekti solar të ndonjë shtëpie private në rrjet, nevojitet votimi nga bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji.

‘Mos të keqkuptohemi, rregulla është shumë transparente, nuk len vend as për aferë korruptive apo keqpërdorim, mirëpo ka disa burokraci. Sipas rregullës aktuale, qoftë edhe një shtëpi nëse don me fillu prodhimin dhe me shit në rrjet, duhet me u mbledhë bordi i ZRRE-së edhe me votu. Që i bjen nëse dojm me i bo 1 megavat në vit solare me shpija, 200 shpija me nga 5 kilovat, kjo i bie që 200 herë duhet me u mbledhë anëtarët e bordit edhe me e ngritë dorën me votu. Ata kanë votu gjithmonë pro, sepse procedura është e thjeshtë’, ka sqaruar Tërnava.

Ai ka thënë se situata është edhe më e vështirë tani kur ka 9 muaj që Zyrës së Rregullatorit të Energjisë i mungon bordi.

‘Sipas studimit të Sekretariatit, Kosova është vendi i vetëm pjesë e Komunitetit të Energjisë, ku bordi i ZRRE-së voton. ZRRE është organi kryesor i energjisë në vend, mirëpo mjafton një njoftim në kuptimin që procesi ka hecë’, ka thënë Tërnava.

Problem tjetër sipas Tërnavës, përfshierja e shumë institucioneve

E ndërsa licencimi i projekteve të energjisë së ripërtëritshme, duke përfshirë edhe ato solare, kërkojnë një numër lejesh nga institucione të ndryshme, ndër problemet tjera të theksuara nga Trim Tërnava nga Jaha Solar është edhe përfshierja e shumë institucioneve në proces.

‘Problem tjetër është përfshierja e shumë institucioneve. Kërkohen dy pëlqime, njëri nga KEDS dhe njëri nga Komuna. Me KEDS kemi pasë problem, 9 muaj pas aprovimit të rregullës nuk kemi marrë përgjigjje nga KEDS për pëlqime për kyqje. Është përfshirë edhe Rregullatori, por në 9 muajt e parë nuk ka pasë përgjigjje nga KEDS. Ky problem është zgjidhë, por KEDS ende nuk ka një metodologji të saktë të kyqjes së prosumers. Nevojitet një udhëzues i saktë’, ka kërkuar Tërnava.

Ai ka kërkuar që gjatë hartimit të rregullave dhe dokumenteve të reja strategjike, duhet të merret parasysh edhe gjendja në institucionet tjera, duke përfshirë edhe administratat komunale.

Si shembull, Tërnava ka sqaruar se si vonesat në legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje në Komunën e Prishtinës e vështirëson zhvillimin e projekteve solare në shtëpi.

‘Tjetër problem është pëlqimi komunal. Është normale që komuna duhet me qenë e njoftume kur dikush vendos panele solare dhe dëshiron me hudhë energji në rrjet. Por si shembull, në Komunën e Prishtinës shumica e objekteve nuk janë të legalizuara. Ato as nuk janë në listë për rrënim dhe as të legalizuara pasi procesi si process është ndalë. Ne kemi kërku nga komuna të lëshojë pëlqimet me fusnote apo aneks, ku thuhet se pëlqimi është valid nëse objekti legalizohet’,

Ndërsa ka thënë se procesi i përgatitjes së dokumentacionit për leje merr shumë kohë, ndërsa ka kërkuar që i njejti të uniformohet dhe që rregulla të njejta të aplikohen në të gjitha komunat.