Search

Të gjitha blloqet e termocentraleve të Kosovës do të shkojnë në remont gjatë 2022-tës

27 Maj, 2022


Të gjitha blloqet e termocentraleve aktuale të Kosovës do të shkojnë një nga një në remonte dhe në revizione teknike të planifikuara, 20, 25 dhe nga 30 ditëshe, ndërsa në bllokun A5 të Kosovës A, është planifikar që sivjet të bëhet remonti kapital që do të zgjatë saktësisht 3 muaj, gjegjësisht nga 1 shtatori deri më 30 nëntor.

Mehmet GJATA

Ngrohja e motit me ardhjen e pranverës si dhe paralajmërimi i stinës së verës, me shumë ditë me diell, ka bërë që kosovarët (sikur) ta harrojnë krizën e madhe dhe të ashpër energjetike, veçmas atë elektroenergjetike, që e përjetuan në fund të 2021-ës dhe në muajt e parë të këtij viti, si pasojë e kryekëput mungesës së energjisë elektrike.

Sikur të mos rishfaqej problemi me çmimin e rrymës, dy vendimeve të gjykatave të vendit, ai i Gjykatës Themelore dhe i asaj të Apelit, që e shpallën jashtëligjor vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë dhe mëdyshjet e ZRRE-së për t’i zbatuar këto vendime, konsumatorëve kosovarë as që iu kishte rënë ndërmend ta kujtojnë terrin energjetik, që e përjetuan para 3-4 muajsh, as pasojat që mbetën pas krizës së ashpër.

Ç’është e vërteta, nuk është se e përkujtojnë edhe aq krizën e madhe elektroenergjetike as institucionet e vendit, ato relevante dhe kompetente për të siguruar rrymën e nevojshme për konsumatorët e vendit të tyre.

Nuk është bërë publik nga ana e Ministrisë Ekonomike asnjë veprim i vetëm, i ndërmarrë eventualisht, për t’u përgatitur për muajt e pritshëm të ftohtë, që sa çel e mbyllë sytë janë këtu, për të siguruar në ndonjë farë mënyre sado pak, sasi të rrymës që do të mungojë padyshim edhe në dimrin e ardhshëm.

Projektet e paralajmëruara nga ministraja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për ndërtimin e dy-tre projekteve të energjisë së rinovueshme që janë për t’u vlerësuar dhe të mirëpritura, nuk e zgjidhin problemin shpejt, jo se jo për këtë vit, por as në vitin tjetër.

Kosovës i duhet ta sigurojë rrymën që do të mungojë urgjentisht që në vjeshtën që po vjen në sasi më të pakta, ndërsa në muajt e dimrit, vendit i duhen edhe më shumë megavat-orë që nuk mund të sigurohen nga kapacitetet ekzistuese të vendit.

Ndërsa, nuk është bërë publike as ndonjë kontratë eventuale nga kjo ministri, por as nga KOSTT-i, që ka për detyrë dhe obligim të sigurojë energjinë e munguar për konsumin e vendit të vet, me ndonjë operator të mundshëm që merret me shitjen e energjisë elektrike, përkatësisht me ndërmjetësimin e importit të saj nga prodhues potencialisht potentë për të siguruar me çmime më të lira ndonjë megavat-orë për sezonin e dimrit, kur pritet të ndodhë mungesa e theksueshme e energjisë elektrike.

Ndërkohë që është e ditur se shtetet që kanë mungesë të prodhimit të energjisë elektrike, që nga tani kanë filluar të organizohen më së miri që është e mundur, për të rezervuar sa më shumë energji të importuar tani, kur ka mundësi të blihet ndjeshëm më lirë dhe kur ka mundësi edhe për të gjetur më shumë energji në tregjet e rajonit dhe të botës.

Në KEK, përkundër kësaj heshtjeje të institucioneve rreth ndonjë pune të efektshme për të lidhur ndonjë kontratë për blerjen e rrymës tani për nevojat e shtuara të konsumit gjatë dimrit, theksojnë se gjatë gjithë këtyre muajve të verës do të punohet shumë për remontimin e kapaciteteve ekzistuese për t’i bërë sa më të përgatitura dhe të gatshme për të prodhuar më shumë energji elektrike në muajt në vijim.

Për këtë, siç ka thënë për Buletin Ekonomik Gazmend Begolli, këshilltar i Bordit dhe menaxhmentit të KEK-ut, tashmë janë bërë planet e nevojshme, është saktësuar plani dinamik i ndalesave të blloqeve që parashihet të remontohen, të revizionohen si dhe të bëhet remonti kapital në to gjatë 2022-ës.

Sipas këtij plani, siç thotë Begolli, Blloku A4 i termocentraleve Kosova A, do të shkojë në remont në muajin gusht, dhe punët rreth këtij remonti do të zgjasin 30 ditë. Në shtator, do të bëhet remonti, po ashtu 30 ditor në bllokun A3, që i bie se këto punë do të fillojnë pikërisht në ditën kur kthehet në punë blloku A4.

Ndërsa, te blloku A5 i këtyre termocentraleve është planifikuar të bëhet remonti kapital, që i bie se do të ketë punë rehabilituese edhe në turbinë dhe në stabilimentet e tjera më të ndërlikuara.

Këto punë kërkojnë më shumë kohë deri sa të kryhen, prandaj A5-shi do të qëndrojë në remont saktësisht 3 muaj, gjegjësisht nga 1 shtatori deri më 30 nëntor.

Punët remontuese më të thjeshta, siç është remonti, revizioni, bëhen rëndom nga ekipet e KEK-ut, ndërsa te remonti kapital, siç është rasti me bllokun A5, angazhohen ekipe të kompanive të jashtme të njohura për rivitalizime të mira dhe të verifikuara nga punët të ngjashme të mëhershme në termocentralet tona. Pra, në punët rreth remontit kapital të A5-shit do të angazhohen ekipe punonjësish të kompanive të jashtme.

Sipas planit dinamik të ndalesave të blloqeve të termocentraleve aktuale të Kosovës, blloku B1 do të shkojë në revision në muajin korrik, me ç’rast punët rreth këtij revizionimi do të zgjasin 20 ditë.

Në bllokun B2 të njëjtat punë do të bëhen brenda 25 ditëve në muajin gusht. Në këtë mënyrë i bie që pas 1 dhjetorit e deri diku në muajt mars e prill, nuk do të ketë ndalesa të blloqeve, por tek termocentralet e stërvjetëruara të Kosovës nuk përjashtohen asnjëherë mundësitë e të papriturave, ose të defekteve teknike të paparashikuara. Në këto raste, ndalesat janë të domosdoshme dhe të paplanifikuara.

Të gjitha këto punë, sipas Gazmend Begollit, bëhen për të shtuar sigurinë e punës në termocentralet e vjetruara, për t’i bërë ato sa më të përgatitura dhe më të gatshme për të prodhuar më shumë energji edhe gjatë muajve të dimrit, për të qenë këto kapacitete sa më ekonomike dhe më miqësore me mjedisin. Këto, fundja janë detyrat dhe obligimet e KEK-ut, thotë inxhinieri i vjetër i sistemit elktroenergjetik të Kosovës. Detyrimet rreth sigurimit të energjisë së munguar i kanë subjektet e tjera, siç është KOSTT-i dhe KEDS-i.

Siç dihet, kapacitetet e blloqeve aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dh tri blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5), janë diku mbi 1, 000 megavatorë (saktësisht 1. 070 megavatorë). Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë.

Në anën tjetër, Kosova A, që nga paslufta ka operuar me tre blloqe A3, A4 dhe A5, të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh. Kapaciteti i A1 është 200 megavatorë në gjenerator, ndërsa në rrjet 180. Kapaciteti i A4 është krejt identik me A3. Ndërsa, A5 ka kapacitet në gjenerator 210 megavat, ndërsa në rrjet 190. Por, këto blloqe rëndom prodhojnë më pak energji. Kapaciteti i prodhimit këtyre ditëve i blloqeve të Kosovës A është : A3 dhe A 4 në gjenerator 150 megavat-orë, ndërsa në rrjet 110, ndërsa te A5 kapaciteti në gjenerator është 150 dhe në rrjet 130 megavatorë. Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralet Kosova A, tashmë e stër-stërvjetëruar dhe në Kosovën B- e vjetëruar bukur shumë. B-ja, siç dihet, ka nisur prodhimin më 1979.

Ndërsa, konsumi aktual i Kosovës sillet pak a shumë te 750 megavatshi, ndërsa gjatë pikut dhe në raste gjatë sezonit të dimrit, konsumi shkon edhe në 1280-1300 megavatorë. Shihet pra që Kosova gjatë dimrit dhe në raste të pikut ka goxha mungesë të energjisë elektrike, të cilën duhet importuar domosdo për t’i plotësuar nevojat kosovare me rrymë.

//buletiniekonomik