Search

Sulm i ri rus me raketa dhe dronë kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë

10 Maj, 2024


Forcat ruse kanë nisur një “sulm të ri masiv” me raketa dhe dronë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës , si rezultat i të cilit të paktën gjashtë persona u plagosën, njoftojnë autoritetet ukrainase.

“Armiku nuk heq dorë nga planet e tij për të privuar ukrainasit nga drita. Një sulm i ri masiv kundër industrisë sonë energjetike!”, shkruan në Telegram ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko .

Sulmet kishin në shënjestër objektet e prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike në provincat Poltava, Kirovograd, Zaporizhia, Lviv, Ivano-Frankivsk dhe Vinnytsia, tha ai.

Autoritetet lokale raportuan të paktën gjashtë persona të plagosur gjatë natës: një në provincën Dnipropetrovsk, një në Kirovograd, dy në Brovary, afër Kievit dhe të paktën dy të tjerë në kryeqytetin ukrainas.

Kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë DTEK njoftoi se tre nga termocentralet e saj janë “dëmtuar rëndë”.

Zyrtarët e kompanisë deklaruan se objektet e saj janë bombarduar afërsisht 180 herë që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, përfshirë pesë herë në gjashtë javët e fundit.

Sipas komandës ushtarake të Kievit, bombarduesit strategjikë rusë Tu-95MS hodhën disa raketa lundrimi në kryeqytet, i cili u vu në gatishmëri të lartë për tre orë.