Subjektet politike reagojn ashpër ndaj vendimit të ZRRE për ngritjen e çmimit të energjisë
April 14, 2025

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, ZRRE, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16% ka zgjuar reagime të ashpra nga të gjitha subjektet politike në Kosovë. Më poshtë gjeni një përmbledhje të tyre.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj vendimit ZRRE. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Çitaku akuzoi Qeverinë Kurti se po e përdor ZRRE-në si mjet për të varfëruar qytetarët dhe për të ushtruar kontroll politik.
“ZRRE është shndërruar në mashën përmes së cilës Qeveria në largim po e godet drejtpërdrejt qytetarin. Po e varfëron, po e lodh dhe po përpiqet ta nënshtrojë”, shkroi Çitaku.
Ajo theksoi se qëllimi i kësaj “kaste në pushtet” nuk është të qeverisë, por të sundojë, duke shtuar se një popull i varfëruar sundohet më lehtë. Megjithatë, ajo siguroi se qytetarët e Kosovës nuk do të nënshtrohen.
“Jo, Albin. As nuk ke me na nënshtru, e as nuk ke me na sundu. Sepse ky popull e ka ngritë zërin edhe në kohë më të vështira, e do ta bëjë sërish”, përfundoi ajo.
Bashkëpartijakja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar para protestës së mbajtur të premten, duke shprehur se rritja e çmimit të rrymës është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve.
“Është mundi i përditshëm që po ju vidhet pa mëshirë. Çfarë tjetër duhet të ju marrin? Dinjitetin? Të ardhmen?”, ka shkruar ajo, transmeton Telegrafi.
“Kjo padrejtësi duhet ndalur! Asnjë cent më shumë nga djersa e qytetarit!”, ka shkruar deputetja Deliu – Kodra.
Ngjashëm ka reaguar dhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, duke e cilësuar atë si një akt në shërbim të “mafisë energjetike”.
Sipas Bajramit, ky vendim po ndodh në një qeveri të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilët, siç thotë ajo, kanë mbrojtur interesat e “Nagipave e Martinave” përgjatë katër viteve të fundit.
“Ky vendim është barrë e papërballueshme për qytetarët e vendit, e në veçanti për ata që e kanë gjendjen ekonomike jo të mirë”, ka shkruar Bajrami në një postim në rrjetet sociale.
Ajo akuzoi ZRRE-në se vepron nën ndikimin e partisë në pushtet dhe mbron interesat e kompanive si KESCO dhe KEDS, duke fshehur informatat financiare të tyre dhe duke justifikuar rritjen e çmimeve përmes kostove të operimit.
“Rritja prej 16% prek të gjitha familjet, bizneset, sektorin publik pa përjashtim… Kjo barrë e dyfishtë bie mbi qytetarët, e para përmes faturave të rritura të energjisë dhe e dyta përmes çmimeve më të larta për ushqim, transport, veshmbathje dhe shërbime të tjera bazike”, ka shtuar ajo.
LDK-ja, siç tha Bajrami, kundërshton fuqishëm këtë vendim dhe e konsideron si dëshmi të shkëputjes së Qeverisë nga realiteti i qytetarëve.
“Vetëm në shërbim të qytetarëve nuk janë”, përfundoi ajo.
Edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka shprehur opinionin e tij për këtë vendim.
Në një deklaratë publike, Haradinaj e ka cilësuar këtë vendim si një tjetër goditje për qytetarët e vendit, duke akuzuar njëkohësisht Qeverinë Kurti dhe strukturat brenda sektorit të energjisë për afera të rënda dhe pasurim të paligjshëm.
“ZRRE-ja, e cila është kthyer në një instrument në duart e Qeverisë Kurti, sot ka konfirmuar se nuk vepron më në interes të konsumatorit, por është shndërruar në mekanizëm për të justifikuar vjedhjen dhe keqpërdorimin në tregun e energjisë. Aferat me shitblerjen e rrymës nuk janë më vetëm dyshime – për to tashmë ka të dyshuar konkretë, njerëz të afërt me kryeministrin!”, u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se shumë familje në Kosovë mezi i përballojnë faturat mujore të energjisë elektrike, ndërkohë që “një klikë e lidhur me pushtetin po pasurohet përmes rrugëve të paligjshme dhe të turpshme”.
“Ky është një favor i hapur për klikën mafioze energjetike të instaluar nga kjo qeveri. Ata që janë zhytur në këto afera do të japin llogari para drejtësisë”, theksoi Haradinaj.
Vendimi për rritjen e tarifave të energjisë vjen në një periudhë kur inflacioni dhe kostoja e jetesës janë shqetësime të mëdha për shumicën e qytetarëve në Kosovë. Reagimet politike dhe qytetare pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.
/Telegrafi