Spekulohet për rritje të çmimit të energjisë – ZRRE sqaron se këto deklarata nuk janë të vërteta
February 10, 2025

Zyra e Rregullatorit për Energji ka bërë të ditur se ka pranuar aplikacionet nga operatorët e licencuar, në përputhje me kërkesat ligjore, për përshtatjet e të hyrave të lejuara maksimale dhe janë në proces të vlerësimit nga ZRRE, por sipas tyre, aktualisht çdo deklaratë ose informacion lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në këtë moment është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit publik.
Ditë më parë në media është përforlur për spekulime se do të ketë rritje të çmimit të energjisë për 35%. Kjo ka ardhur prej faktit se kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë kanë kërkuar nga ZRRE që t’ua lejojë rritjen e të hyrave të lejuara maksimale për vitin 2025 me rreth 145 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024.
Mirëpo, në një njoftimin për media ZRRE ka sqaruar se këto aplikacione janë aktualisht në proces të vlerësimit nga ZRRE, dhe pas përfundimit të këtij procesi do të publikohet raportin konsultativ për shqyrtim dhe komente nga publiku. Pra, këto kërkesa janë ende në shqyrtim dhe nuk do të thot se do të reflektohen në rritje direkte të çmimit të energjisë elektrike nga konsumatorët.
“Dëshirojmë të sqarojmë për opinionin publik se çdo deklaratë ose informacion lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në këtë moment është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit publik. Këto pretendime nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat aktuale të pranuara nga operatorët e licencuar dhe nuk pasqyrojnë procesin në vazhdim të vlerësimit nga ZRRE.
ZRRE fton të gjitha palët e interesuara dhe qytetarët që për çdo pyetje, shqetësim ose informacion lidhur me këtë proces, të kontaktojnë drejtpërdrejt me ZRRE për të marrë informacionin e saktë dhe të bazuar në procedurat ligjore dhe rregullative të përcaktuara”, thuhet në njoftim.
ZRRE thekson tutje se angazhimit i tyre është që të sigurojnë një proces transparent dhe të drejtë, që i shërben interesave të qytetarëve dhe zhvillimit të sektorit të energjisë në përgjithësi.
/Telegrafi