Solar4Kosovo: Shpallet Tenderi për ngrohjen qëndrore me energji solare
February 04, 2025

Kryeshefi i Termokos, Fisnik Osmani së bashku me kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama dhe nënkryetarin e Komunës së Prishtinës Alban Zogaj, kanë njoftuar për shpalljen e tenderit për projektin “Solar4Kosovo II – Ngrohja Qendrore Solare”, Loti 1 – Impianti i Ngrohjes Qendrore.
Përmes realizimit të këtij projekti, do të ofrohoet shërbim për 32,000 qytetarë të Prishtinës në lagjet Tophane, Prishtina e Vjetër, Lakrishte, Kalabria dhe Mahalla e Muhaxherëve.
Solar4Kosovo është projekti i vetëm i këtij lloji në Ballkan dhe i dyti më i madhi në Evropë për nga madhësia. Ai do të prodhojë energji të pastër termike me një kapacitet prej 50 MW, përmes paneleve solare termike me sipërfaqe 63,000 m² dhe një rezervuari për akumulimin e ujit të ngrohtë me kapacitet 380,000 m³.
“Përfitimet për Prishtinën në aspektin mjedisor do të jenë të mëdha, duke e vendosur kryeqytetin në hartën botërore të qyteteve të gjelbra. Ky projekt do të mundësojë një kursim prej 44,000 ton CO₂ në vit”, thuhet nga Termokos.
Parakualifikimi për këtë tender përfshin prokurimin e një impianti solar të ngrohjes qendrore, i cili përbëhet nga:
Një rezervuar sezonal për ruajtjen e energjisë termike të ujit (PTES)
Një fushë kolektorësh termikë diellorë (SCF)
Projekti do të realizohet në përputhje me Kushtet e Kontratës për Ndërtimin e Impiantit dhe Projektimin (FIDIC – Libri i Verdhë). Koha e parashikuar për përfundimin është 30 muaj, plus një fazë 6-mujore e komisionimit.
Të gjithë të interesuarit mund të kërkojnë dokumentet e parakualifikimit nga agjenti i tenderit në këtë adresë emaili: [email protected] .
Projekti financohet përmesë granteve nga Qeveria e Gjermanisë dhe Bashkimi Evropian (WBIF), përmes KfW si Institucioni Kryesor Financiar Ndërkombëtar, kredi nga BERZH dhe Termokos.