Sllovenia po shqyrton dyfishimin e kapacitetit të njësisë së re bërthamore
September 25, 2023

Nga 1,100 megavat sa ishte planifikuar në fillim, njësia e re bërthamore e planifikuar e ndërmarrjes shtetërore sllovene Gen-Energija në Krshko mund të ketë 2,400 megavat kapacitete prodhimi të instaluara, kanë raportuar mediat sllovene.
‘Gen-Energija ka vendosur të zgjerojë gamën e opsioneve të mundshme dhe të shqyrtojë një njësi më të fuqishme, dhe në rastin më ekstrem, me deri në 2400 megavat kapacitete të instaluara, dhe pasi është e mundshme në lokacionin ku pritet të ndërtohen në Vrbina, madje po konsiderojmë edhe dy njësi bërthamore’, kanë cituar mediat lokale kryeshefin ekzekutiv të Gen-Energija, Dejan Paravan.
Vendimi për të rritur kapacitetet do t’i mundësonte edhe ndërmarrjes EDF nga Franca dhe asaj KHNP nga Koreja e Jugut të merrnin pjesë në projekt, ndërsa deri më tani Westinghouse ka ofertuar një njësi të 1,100 megavatëve, ka thënë Paravan.
Rritja e kapaciteteve është bërë e mundur përmes ndryshimeve ligjore në Slloveni, që tani lejojnë kapacitete bërthamore më të mëdha se 1,100 megavat, ndërsa kriza energjetike ka shpërfaqur nevojën për më shumë energji elektrike.
Për më shumë, edhe interesimi i vendeve fqinje për të bashkë-investuar në projekt është në rritje, ka theksuar Paravan.
Gjatë këtij viti, ministri slloven i energjisë Bojan Kumer ka thënë se për ndërtimin e njësisë së dytë në centralin bërthamor në Krshko do të vendoset më së largu gjatë vitit 2024.
Koha e vendimit, që pritet të vendoset në referendum, varet kryesisht nga rezultatet e studimeve të fizibilitetit që tani po përgatitet nga Gen-Energija.
Centrali bërthamor në Krshko, i vendosur në Slloveni dhe afër kufirit me Kroacinë, prodhon rreth 40% të energjisë elektrike në këtë vend. Centrali është i vendosur rreth 100 kilometra nga Austria.
Centrali operohet nga ndërmarrja Nuklearna Elektrana Krsko (NEK), në bashkëpronësi të Gen-Energija nga Sllovenia dhe HEP nga Kroacia.