Search

Sllovenia lëshon lejën energjetike për njësinë e dytë të impiantit bërthamor në Krsko

21 Korrik, 2021


Ministria e Infrastrukturës në Slloveni ka lëshuar lejën energjetike për njësinë e dytë të impiantit të saj të vetëm bërthamor, Krsko, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 1.1 gigavatësh, ka raportuar Balkan Green Energy News.

Ministri Jernej Vrtovec ka thënë se leja e re nuk ka të bëjë me vendimin final mbi projektin, porse hapë procedurat administrative për zhvillimin e projektit dhe për përgatitjen e dokumenteve të nevojshme.

Ndërtimi i njësisë së dytë e impiantit bërthamor në Krsko do t’i kushtojë Sllovenisë nga 5 – 6 miliard euro. Sipas parashikimeve, ky impiant do të prodhojë rreth 8,800 gigavat energji elektrike në baza vjetore dhe do të operojë për 60 vite.

Martin Novsak nga kompania shtetërore energjetike në Slloveni, GEN Energija, ka thënë se kjo kompani dëshiron të vet-financojë impiantin e ri bërthamor, dhe se do të pranonte edhe ndihmë financiare nga BE nëse një e tillë ofrohet.

Ai ka konfirmuar se procedurat e marrjes së lejës për ndërtimin e impiantit të ri do të zgjasin rreth 5 vite.

Sipas Ministrit Vrtovec, impianti i ri i propozuar do të jetë i sigurtë, neutral ndaj dioksidit të karbonit dhe pjesë e gjeneratës së tretë të impianteve bërthamore që operojnë me standardet më të larta.

Ndryshe, përvec ndërtimit të njësisë së re bërthamore për prodhim të rrymës, Sllovenia është duke planifikuar edhe zgjatjen e jetëgjatësisë së njësisë së vjetër në Krsko edhe për 20 vite tjera.

I ndërtuar në vitet e 80ta, impianti bërthamor Krsko 1 do të duhej të ndalonte operimin në vitin 2023.