Sipas ZRRE-së rritja me 15% e çmimit është minimale – Bizneset paralajmërojn shtrenjtime të produkteve
March 24, 2025

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka arsyetuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15%. Ai thënë se kjo rritje është bërë 100% duke u bazuar në inflacionin global.
Sipas tij, edhe pse kemi pasur rritje të çmimit të energjisë në tri vitet e fundit, Kosova ende mbetet në fund të listës së vendeve me çmimin më të lirë të energjisë elektrike.
Fejzullahu thekson se rritja e çmimit është e domosdoshme për të mbuluar kostot e importit, të cilat ose duhet t’i paguajë konsumatori, ose të subvencionohen nga qeveria.
“Nëse një konsumator deri më sot ka paguar rreth 50€ për energjinë e shpenzuar, pas rritjes së tarifave ai do të paguajë rreth 58€, pra minimalisht 8€ më shumë. Ndërsa bizneset do të paguajnë tarifa të tjera”, ka thënë Fejzullahu në T7.
Në anën tjetër, është komentuar edhe nisma qytetare “Asnjë cent më shumë”, për të cilën kreu i ZRRE-së ka thënë se e kupton shqetësimin e qytetarëve, por reflektimi në tarifa ka qenë i domosdoshëm.
“Nëse kemi protesta dhe mosbindje qytetare, do të ketë reduktime, sepse asnjë furnizues nuk mund të mbulojë këto kosto. Nuk ka alternativë tjetër përveç reflektimit në tarifa. Për ata qytetarë që nuk mund ta përballojnë faturën, duhet të aplikojnë për subvencionim tek Ministria e Financave”, ka pohuar Fejzullahu.
Fejzullahu thotë se në këtë kohë është shumë e vështirë të jesh në krye të Bordit të ZRRE-së, veçanërisht kur flitet për tarifa.
Sipas tij, kërkesat e kompanive për furnizim me energji elektrike ishin që çmimi të rritej për 35%, por pas konsultimeve u propozua që çmimi të rritet për 15%.
Ai shpjegon pse konsumatorët duhet të paguajnë 15% më shumë për energjinë e shpenzuar nga 1 prilli.
“Kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike kanë mbetur të pandryshuara, ashtu siç ka mbetur edhe çmimi për konsumatorët me të drejtë universale që nga viti 2010, edhe pse kemi pasur inflacion çdo vit, veçanërisht në dy vitet e fundit. Çmimi i energjisë së prodhuar në Kosovë është 30€, ndërsa ai i importuar 150€. Kjo diferencë na detyron ose të reflektojmë dhe të mbulojmë koston, ose të kemi reduktime të energjisë elektrike. Mes dyjave, kemi konsideruar se më mirë është të importojmë energji sesa të kemi reduktime”, ka pohuar Fejzullahu.
Mirëpo, deri më 28 mars, qytetarët dhe palët e interesit mund të dërgojnë komente tek ZRRE sa i përket propozimit për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Bizneset paralajmërojn ngritje të çmimeve me shtrenjtimin e energjisë
Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndërhyjë për të ndaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se kjo rritje do të dëmtojë rëndë sektorin e prodhimit të qumështit.
Në një reagim të dërguar për mediat, përfaqësues të Shoqatës kanë shprehur shqetësimin për ndikimin negativ që do të ketë shtrenjtimi i energjisë në koston e prodhimit të qumështit.
Ata kanë theksuar se, përveç rritjes së kostove për ambalazhimin e produkteve dhe pagave të punëtorëve, industria e qumështit tashmë po përballet me shpenzime të larta operative.
“Me gjithë sakrificat e bëra deri tani për të ruajtur një paqe sociale për konsumatorët në Kosovë, nëse çmimi i energjisë rritet, do të detyrohemi të veprojmë. Shpresojmë në mirëkuptimin e klientëve tanë,” thuhet në reagimin e Shoqatës.
Përfaqësuesit e Shoqatës theksojnë se, pavarësisht përpjekjeve për të ruajtur stabilitetin e çmimeve, një rritje e mëtejshme e tarifave të energjisë do t’i detyrojë ata të rrisin çmimet e produkteve të qumështit.
Sektori i qumështit, që është ndër më të goditurit nga shtrenjtimi i kostove të prodhimit, kërkon nga institucionet që të parandalojnë ndikimin e mëtejshëm të rritjes së tarifave të energjisë në zinxhirin e furnizimit me produkte ushqimore bazike.
“Industria e qumështit në Kosovë ka qenë ndër sektorët më të goditur nga rritja e kostove të prodhimit dhe kërkon nga institucionet që të parandalojnë ndikimin e mëtejshëm të shtrenjtimit të energjisë në zinxhirin e furnizimit me produkte bazike ushqimore”, thuhet në reagim.
/Telegrafi