Search

Shtetet e Bashkuara dhe BE, debat për tranzicionin energjetik

18 Maj, 2022


Ndërsa vendet perëndimore po përballen me paqëndrueshmëri ekonomike për shkak të luftës në Ukrainë, sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen propozoi një plan Marshall për vendin.

Duke folur në Forumin Ekonomik të Brukselit, Yellen shprehu shqetësimin se kostot e luftës vazhdojnë të rriten, pavarësisht përpjekjeve të aleatëve perëndimorë.

Yellen ishte në kryeqytetin belg përpara takimit të ministrave të Financave të grupimit G7 në Gjermani.

“Mbështetja bilaterale dhe multilaterale nuk do të mjaftojnë për të zgjidhur nevojat e Ukrainës, edhe në një plan afatshkurtër. Ndaj sinqerisht u kërkoj të gjithë partnerëve tanë të bashkohen me ne në rritjen e mbështetjes financiare për këtë vend”, tha Janet Yellen, sekretare e Thesarit, SHBA.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar shqetësim tek BE-ja se objektivi politik si Marrëveshja e Gjelbër mund të hasë vështirësi dhe të ngadalësojë tranzicionin drejt një ekonomie neutrale ndaj klimës. Por Komisioni Evropian e sheh situatën aktuale si një shans për ta përshpejtuar procesin e tranzicionit.

“Lufta në Ukrainë nuk po na detyron të ndryshojmë objektivat e klimës, arritjen e neutralitetit në 2050-n dhe në reduktimin me 55% të emetimeve brenda 2030-s. Madje, ajo po e bën këtë tranzicion më urgjent, sepse ne kemi marrë vendime strategjike për t’u shkëputur nga vartësia ruse”, u shpreh Vladis Dombrovskis, zëvendës president i KE-së.

Përshpejtimi i këtij tranzicioni është një qëllim fisnik, por s’mund të arrihet pa masa të mjaftueshme sociale, paralajmërojnë ndërkohë sindikatat e punës.

“Marrëveshja e Gjelbër duhet të jetë së pari një akord social, asnjë person dhe asnjë rajon nuk duhet të mbeten pas. Ajo duhet të shkojë përtej sloganeve, me arritje konkrete në aspektin social, por për momentin po shohim vetëm rekomandime dhe udhëzime, por jo veprime të mjaftueshme”, tha Luc Triangle, sekretar i përgjithshëm, Sindikata Evropiane e Tregtisë.

Për luftimin e inflacionit, ristrukturimin e sektorit të energjisë dhe ecjen me hapat e duhur në çështjen e klimës, politikanët në BE po hasin sfida të shumta që mund ta nxjerrin projektin evropian nga binarët. Por ata mund të gjejnë edhe zgjidhje të fuqishme dhe inovative.

//euronews.al