Shqipëria hapë tenderin për stacionet e karikimit në qytetet turistike dhe pikat kufitare
June 06, 2023
Leximi i këtij artikulli zgjatë: 4 minuta
Vendosja e stacioneve të karikimit për makinat elektrike pritet të fillojë nga zonat turistike dhe pikat kufitare në Shqipëri.
Kështu specifikon një dokument i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë e cila çeli këtë të hënë një tender të lidhur me këtë aspekt.
Në objekt të kontratës është “Realizim punimesh, projekt zbatimi dhe Auditimit për vendosjen e stacioneve të karikimit për makinat elektrike në qytetin Sarandë, Gjirokastër, Himarë, Vlorë, Durrës, Velipojë, Shkodër, Korçë dhe në pikat kufitare- rruga e energjisë së pastër”.
Sipas termave të referencës që shoqërojnë procedurën thuhet se ky është një projekt pilot auditim projekt zbatimi dhe realizim punimesh për vendosjen e stacioneve të karikimit për makinat elektrike në qytet Sarandë, Gjirokastër, Himarë, Vlorë, Durrës, Velipojë, Shkodër, Korçë dhe në pikat kufitare- rruga e energjisë së pastër.
“AEE ka përfunduar një studim për sektorin e transportit, për ngritjen e rrjetit të karikuesve të makinave elektrike dhe mbështetur mbi këtë studim do të vazhdohet me procesin e implementimit dhe fillimin e ngritjes së rrjetit të karikuesve të makinave elektrike. Gjithashtu gjatë vitit 2021 e në vazhdim AEE ka instaluar në qytetin e Tiranës 4 karikues makinash AC 22kË dhe 1 DC 350 kW si dhe gjatë vitit 2022 ka në proces instalimin e një karikuesi DC 50 kW në qytetin e Shkodrës.
Mbështetur në Planin Kombëtar të Veprimit për Energjinë dhe Klimën në lidhje me sektorin e transportit vendi ynë ka si detyrim uljen e konsumit të karburanteve fosile si dhe ndotjes së ambientit që vjen prej tij. Për këtë qëllim objektivi i qeverisë shqiptare është instalimi i 200 deri 300 stacione karikimi deri në vitin 2025 në të gjithë vendin.
AEE po bashkëpunon me qeverinë shqiptare si dhe me institucione ndërkombëtare për të gjetur fondet e nevojshme për realizimin e investimeve në këtë 2 sektor për të arritur dhe objektivat kombëtarë lidhur me reduktimin e shkarkimeve të drejtpërdrejta e të tërthorta të CO2, si dhe ndikimet në mjedis, kundrejt institucioneve të Bashkimit Europian, si anëtare nënshkruese e traktatit së energjisë”, thuhet në dokument.
Fazat e projektit pilot
Në dokumentin e AEE thuhet se projekti pilot do të zbatohet në dy faza.
FAZA I – Auditim energjetik si dhe projekti teknik i zbatimit
Në këtë fazë operatori ekonomik do të realizojë auditimin energjetik për të gjithë karikuesit për çdo qytet apo pikë doganore nga auditues energjetik të certifikuar nga AEE për instalime industriale.
Ky auditim do të përcaktojë reduktimet që vijnë nga zëvendësimi i karburanteve fosile, fizibilitetin e kursimit të energjisë elektrike krahasuar me lëndët djegëse si dhe uljen e ndotjes që vjen nga përdorimi i karburanteve.
FAZA II Realizimi i punimeve të ndërtimit:
Punimet do të kryhen brenda afatit të përcaktuar në Termat e Referencës si dhe në periudhën e ofruar nga operatori ekonomik, dhe cilësia e tyre do të respektojë specifikimet teknike të përcaktuara.
Të gjitha pajisjet duhet të jenë të certifikuara CE, për të garantuar cilësinë e tyre. Meqenëse pajisjet janë mallra importi operatori ekonomik duhet të parashikojë realizimin e tyre brenda afatit që do të ofrojë në konkurim.
Fondi limit për procedurën është 83 milionë lekë dhe data e fundit për ofertat është 20 qershori.
//Monitori.al