Shqipëri: Vrulli i fotovoltaikëve, katër projekte të tjera në MIE me kapacitet 170 MW
February 08, 2024

Viti 2024 ka nisur me një “lumë” aplikimesh pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) lidhur me projekte të pavarura të impianteve fotovoltaikë të cilët synojnë shitjen në tregun e lirë pa marrëveshje me kompanitë publike.
Ministria publikoi së fundmi kërkesat e katër kompanive të tjera të cilat kanë projekte fotovoltaike me kapacitete të ndryshme por që në total llogaritet në 170.2 MW.
Konkretisht aplikimi i parë i takon shoqërisë “LARTI” SH.P.K. që ka shprehur interesin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 50.4 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Njësia Administrative Mollas, fshati Shtikë -Butkë, Bashkia Kolonjë, Qarku Korçë.
I dyti i takon shoqërisë “SUNNY SIDE ENERGY” SH.P.K. për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 100 MWme vendndodhje në Zonën Kadastrale 1451, Fshati Darëzezë, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier.
Projekti i tretë për të cilin është aplikuar është ai nga shoqëria “BOVA” SH.P.K. që ka shprehur interesin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 11 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me vendndodhje në Bashkinë Cërrik, Qarku Elbasan.
Projekti i katërt është ai në aplikimin e shoqërisë “IDI 2005” SH.P.K për një impiant fotovoltaik me kapacitet të instaluar 8.8 MW, me vendndodhje në Zonën Kadastrale 3038, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier.
Vetëm tre javë më parë në MIE u dorëzuan gjashtë aplikime të tjera për një kapacitet të instaluar prej 213 MW në impiante fotovoltaikë.
Investimet në burimet e rinovueshme të energjisë dhe kryesisht ajo diellore u bënë atraktive sidomos gjatë vitit 2022 kur kriza e energjisë arriti kulmin e saj duke orientuar biznese të ndryshme të shihnin energjinë si një formë diversifikimi. Teksa çmimet pësuan një ulje graduale gjatë vitit 2023 por ende janë akoma edhe sot mbi mesataren historike në bursa për periudhën, duket se investimet në energji vijojnë të mbeten tërheqëse për bizneset.
Duke qenë se aktualisht në vend po aplikohen disa forma të nxitjes së burimeve të reja të energjisë sa i takon asaj diellore mbetet e paqartë në çfarë kapaciteti total kemi arritur kjo për faktin që një pjesë e projekteve janë të përfunduar dhe licencuar, një pjesë janë në proces ndërtimi, disa në fazë procedurash e të tjerë në fazë ankandi.
Enti Rregullator i Energjisë vetëm gjatë vitit 2023 licencoi 10 subjekte në prodhim energjie nga fotovolatikët me një kapacitet të instaluar prej 354MW.
/Monitor.al