Shqipëri: Varfëria energjetike – ERE: Të ndërmeren politika për familjet, fokusi te kursimi i energjisë
January 05, 2024

Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri kërkon ndërmarrjen e politikave për adresimin e varfërisë energjetike, që prek shumë familje shqiptare.
Ky dikaster ka publikuar një dokument vlerësues mbi politikat rregullatore për mbrojtjen e klientëve në nevojë në sektorin e energjisë elektrike, ku thekson se adresimi i plotë i problemit kërkon jo vetëm ndërhyrje afatshkurtër, përmes mbështetjes në faturë, por edhe duke siguruar infrastrukturë dhe zgjidhje të qëndrueshme.
Sipas ERE-s, këtu përfshihen politkat e eficiencës së energjisë që zvogëlojë konsumin dhe, rrjedhimisht edhe kostot e energjisë, që ndikojnë në shpenzimet totale të familjeve.
“Duke e shqyrtuar problemin ne tërësi është nevojshme të përgatiten mekanizmat, me fonde publike dhe private, të afta për të siguruar burime të mjaftueshme”, – thuhet ndër të tjera në dokument.
Varfëria energjitike kuptohet gjerësisht si paaftësia e familjeve për të mbajtur nivele të përshtatshme të shërbimeve të energjisë me një kosto të përballueshme. Ndërkohë që, sipas ERE-s ky koncept në Shqipëri lidhet me termin klient në nevojë, teksa ndihma sociale është i vetmi mjet i ndërhyrjes së vazhdueshme përmes buxhetit të shtetit.
Sipas të dhënave zyrtare janë rreth 68 mijë familje, që jetojnë me ndihmë ekonomike e që janë më rrezikuarat të bien në varfëri energjetike.
/SCAN