15 °C
Search

Shqipëri: Fotovoltaikët deri në 2 MW, ERE miraton çmimin e blerjes së energjisë, 95.04 euro/MWh

March 08, 2024


Enti Rregullator i Energjisë miratoi së fundmi këtë çmim duke ju referuar të dhënave të marra nga tregu dhe integrimit të tyre brenda formulës që përcakton këtë çmim.

I mpiantet fotovoltaikë që kanë marrë miratimin paraprak gjatë vitit 2023 do të kenë një çmim prej 95.04 Euro/MWh për energjinë që do t’i shesin shtetit.

Enti Rregullator i Energjisë miratoi së fundmi këtë çmim duke ju referuar të dhënave të marra nga tregu dhe integrimit të tyre brenda formulës që përcakton këtë çmim.

“Bordi i ERE-s, vendosi: Miratimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga prodhuesit ekzistues me përparësi nga burimet fotovoltaike me kapacitet të instaluar deri në 2 MW prej 95.04 Euro/MWh, për vitin 2023” thuhet në vendim.

I njëjti sjell në vëmendje se lidhur me koston e investimit dhe komponentët e LCOE (kostoja e niveluar e energjisë elektrike) në tërësi, janë marrë në konsideratë kostot e investimit dhe shpenzimet vjetore operative dhe degradimi vjetor që rezultojnë nga Planet e Biznesit të përditësuara të Projekt Zbatimeve të shoqërive, të cilat janë Mbajtëse të Miratimeve Përfundimtare për ndërtimin e impianteve fotovoltaike me fuqi të instaluar deri në 2MW si dhe mbështetur në vlerësimet e VKM nr. 580/2019 elementët e tjerë përllogaritës si WACC(Kostoja mesatare e ponderuar e kapitalit), periudha e mbështetjes si dhe orët mesatare të punës së impianteve fotovoltaike për vitin 2023.

“Në zbatim të sa më sipër për përllogaritjen e çmimit të blerjes së energjisë të prodhuar nga prodhuesit ekzistues me përparësi nga burimet fotovoltaike për vitin 2023 jemi referuar modelit të excel-it të AGORA në studimin e saj për Shqipërinë”, thuhet në vendimin e Bordit të ERE-s.

Vendimi nënvizon se për ndjekjen dhe vlerësimin e burimeve të rinovueshme, të cilat kanë hyrë në operim si dhe ato që pritet të hynë në të ardhmen, ligj nr. 24/2023 parashikon rolin e Agjencisë përgjegjëse për energjinë e rinovueshme, e cila ndër të tjera do të ketë detyrën e monitorimit të kontratave koncesionare dhe atyre jo objekt koncesioni për ndërtimin e burimeve të reja prodhuese të energjisë elektrike si dhe të përmbushjes së detyrimeve kontraktuale, përllogaritjen dhe aplikimin e penaliteteve të shoqërisë për mospërmbushje detyrimesh, testimin e impianteve prodhuese dhe lëshimin e certifikatës së përfundimit të impiantit sipas kontratës së nënshkruar, vlerësimin dhe certifikimin e investimit të kryer.

Për herë të fundit ERE kishte miratuar një çmim për grupin e fotovoltaikëve deri në 2MW në vitin 2018 ku vendosi një nivel 71.2 Euro/ MWh. Ndërkohë që për lundruesit u vendos një çmim në vitin 2020 i cili ishte mbi 100 euro/MWh.

Impiantet fotovoltaikë deri në 2MW dhe ato eolike deri në 3MW janë një formë jotipike koncesioni që miratohet për projekte të ndryshme dhe që më herët kalonte vetëm me vendim ministrie. Për këto projekte miratohet çmim nga ERE sipas një metodologjie të miratuar më herët dhe. Energjia blihet nga këto burime nga kompania e shpërndarjes.

/Revista “Monitor”