Search

Shqipëri: Eksporti i energjisë elektrike pwr TM3 u rrit me 2.3 herë në raport me vitin 2020

25 Nëntor, 2021


Eksporti energjisë elektrike në tremujorin e tretë të vitit u rrit me 2.3 herë në raport me vitin 2020. Bilanci i energjisë elektrike i publikuar dje nga INSTAT tregon se gjithashtu edhe prodhimi i energjisë elektrike në tërësi, në 3-mujorin e tretë shënoi rritje, ka bërë të ditur Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sipas INSTAT, “prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 7,2% duke arritur vlerën 1.371 GWh nga 1.280 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2020. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76,3%, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 22,7% dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 1,0% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike”.

Ndërkohë që importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e tretë të vitit 2021, arriti vlerën 975 GWh nga 666 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 46,5%.

“Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 323 GWh nga 139 GWh duke shënuar një rritje me 2,3 herë”, bën të ditur INSTAT.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 12,0%.

//Agjencia Telegrafike Shqiptare