Shqipëri: Bilanci i energjisë, privatët ia kalojnë HEC-eve shtetërore
13 Maj, 2024
Të dhënat zyrtare të raportuara pranë Entit Rregullator të Energjisë në Shqipëri (ERE) tregojnë se në total, prodhimi neto i energjisë në këtë vend për 3-mujorin e parë të vitit ishte 2.47 milion MWh.
Shqipëria ka regjistruar bilanc pozitiv të energjisë në tremujorin e parë duke prodhuar më shumë sesa konsumi. Të dhënat zyrtare të raportuara pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) tregojnë se në total, prodhimi neto i energjisë për 3-mujorin e parë të vitit ishte 2.47 milion MWh.
Konsumi nga ana tjetër ishte 11.2 për qind më i ulët duke shënuar nivelin e rreth 2.2 milionë MWh.
Duke vijuar ecurinë pozitive që solli situata hidrike në vitin 2023 edhe tre muajt e 2024-s kanë pasur të njëjtin zhvillim. Ky prodhim mbi konsumin është eksportuar regjistruar si energji e dhënë për shitje në treg.
Korporata Elektoenergjetike Shqiptare gjatë 3-mujorit të parë të vitit ka prodhuar 1.2 milionë MWh energji, duke mbajtur një peshë prej 48.78 për qind duke i lënë kështu vendin si prodhuesi me peshën më të madhe pjesës së kompanive private.
Këto të fundit, si prodhues të pavarur që shesin energjinë në treg të lirë edhe prodhues me përparësi siç janë HEC-et deri në 15 MW apo edhe impiantet fotovoltaike deri në 2 MW kanë mbajtur 51.2 për qind të prodhimit neto vendas.
Nga totali i energjisë që KESH ka prodhuar në 3 mujorin e parë të vitit shumica ka shkuar për të furnizuar Furnizuesin e Shërbimit Universal të cilit i është dhënë mbi 1 milionë MWh.
Ndërkaq vetë kompanitë e OSHEE Group siç janë OSSH dhe Furnizuesi i tregut të Lirë kanë blerë në treg energji për humbjet dhe për të liberalizuarit.
Për humbjet janë siguruar mbi 425 mijë MWh energji që është sa 19.3 për qind e konsumit vendas. Për klientët e liberalizuar janë siguruar 103 mijë MWh apo e barazvlefshme me 4.7 për qind.
Teksa shumica e energjisë u prodhua nga burimet hidrike të dhënat tregojnë se fotovolatikët dhanë vetëm 0.93 për qind të totalit në prodhimin neto vendas.
Konkretisht bëhet fjalë për rreth 23 mijë MWh energji ndarë mes prodhuesve që e shesin këtë energji tek kompania publike OSHEE dhe prodhues të tjerë në treg të lirë.
/Monitor.al