Search

Shqipëri: Bien çmimet e importit, por rriten kostot e prodhimit – Shtrenjtimi erdhi nga sektorët e energjisë dhe industria nxjerrëse

07 Qershor, 2024


Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në Shqipëri, dy tregues të rëndësishëm si Indeksi i Çmimit të Prodhimit dhe Indeksi i Çmimit të Importit janë luhatur në drejtime të kundërta.

Shifrat tregojnë se subjektet prodhuese në Shqipëri vazhdimisht po përballen me një shtrenjtim të kostos së prodhimit të mallrave.

Konkretisht, në tremujorin e parë të vitit aktual, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit shënoi një rritje me 2.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa Indeksi i Çmimeve të Importit shënoi ulje me 1.9%.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar sesi varion rritja dhe cilët janë zërat që e shkaktojnë atë në drejtim të çmimeve të prodhimit. Krahasimisht me tremujorin e parë të vitit 2023, shifrat tregojnë se rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar” me 7.2%, pasuar nga seksioni “Industri nxjerrëse” me 3.9 %. Ndërkohë, zërat “Përpunimi i tekstileve” apo ‘’Prodhimi i pajisjeve elektrike” u rritën nga 1.6% në 2.2%.

Kjo rritje është reflektuar jo vetëm në produktet që tregtohen brenda vendit, por edhe jashtë tij. Përsa i përket këtij indeksi për produktet të cilat ofrohen në tregun vendas themi se rritja vjetore ka qenë 3.5% dhe rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 10.5%, “Industria Nxjerrëse” me 3.8% dhe “Industria Përpunuese” me 1.2%.

Nga ana tjetër, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport shënoi një rritje vjetore prej 0.5%. Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar në seksionin “Industri Nxjerrëse” me 4%, pasuar nga seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 3.9%.

Ashtu siç u përmend më lart, një tjetër tregues i rëndësishëm është edhe Indeksi i Çmimit të Importit. Sipas të dhënave të INSTAT, ky tregues, në tremujorin e parë të vitit 2024, arriti 108.1 kundrejt vitit 2021 si periudha bazë. Krahasuar me tremujorin e parë 2023, indeksi i çmimeve të importit shënoi një ulje me 1.9%. Nëse analizojmë në terma vjetorë zërat që kanë kontribuar në uljen e këtij treguesi vëmë re se çmimet e importit të produkteve në seksionin “Industri nxjerrëse” shënuan uljen më të lartë prej 2.9%, pasuar nga seksioni “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” me 2.5%.

Gjithashtu, çmimet në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 93.5% shënuan një ulje prej 1.8%. Brenda këtij seksioni ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara”.

/SCAN