SHBA fillon shqyrtimin e mineraleve strategjike në Ukrainë
September 25, 2025

Një delegacion amerikan po eksploron minierat e titanit, zirkonit dhe hafniumit në Ukrainën qendrore për të nisur projektet e para në kuadër të marrëveshjes së re për mineralet midis Kievit dhe Uashingtonit.
Përfaqësues të Korporatës Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, DFC, së bashku me ministrin ukrainas të Ekonomisë, Mjedisit dhe Bujqësisë, Oleksij Soboljev, kanë vizituar zonat minerare Birzulivski dhe Likarivske në rajonin Kirovograd.
Të dyja lokacionet i përkasin prodhuesit ukrainas të titanit, Velta, i cili prej më shumë se 14 vitesh shfrytëzon mineralin e titanit në këtë rajon. Velta planifikon që, përveç titanit, të prodhojë edhe zirkon dhe hafnium – metale që përdoren në industrinë bërthamore – ndërkohë që nga e njëjta minierë pritet të nxirren edhe materiale ndërtimi, si argjila dhe rëra, raporton NY Times.
“Aftësia jonë për të ofruar një burim alternativ të lëndëve të para kritike jashtë Kinës është e rëndësishme për partnerët amerikanë, ndërsa produktet tona shtesë do të jenë thelbësore për rindërtimin e Ukrainës”, deklaroi drejtori i kompanisë, Andrij Brodski.
Titani është një nga 34 materialet kritike në listën e Bashkimit Evropian dhe ka përdorim të gjerë në industrinë mbrojtëse, ajrore dhe teknologjike.
Vlera e tregut për këtë metal vlerësohet të arrijë mbi 53 miliardë dollarë deri në vitin 2034, ndërkohë që kërkesa globale po rritet pas çrregullimeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Moskës.
Para luftës, Rusia mbulonte gati një të tretën e nevojave të SHBA për nënprodukte të titanit, ndërsa tani Uashingtoni është në kërkim të burimeve të reja të furnizimit.
Marrëveshja për mineralet, e nënshkruar më 30 prill, i jep Shteteve të Bashkuara të Amerikës qasje të veçantë në projekte investimi në Ukrainë – që nga burimet natyrore, infrastruktura mbështetëse, deri tek programet mbrojtëse.
/Telegrafi