11 °C
Search

Serbia synon të largojë ndalesën për termocentrale bërthamore

January 04, 2022


Qeveria e Serbisë ka thënë se është duke synuar të largojë ndalesën për ndërtimin e termocentraleve bërthamore, për të lejuar vendin të ndërtojë reaktorë bërthamor, ka thënë ministrja për energji, Zorana Mihajlovic.

‘Ne kemi një moratorium për të ndaluar ndërtimin e termocentraleve bërthamore, që ishte vendosur pas katastrofës në Çernobil, dhe që ishte më se i kuptueshëm për atë kohë, por gjendja ka ndryshuar nga viti 1086”, ka thënë Mihajlovic për Tanjug, ka raportuar SEE News.

Serbia ende nuk ka filluar bisedimet për ndërtimin e termocentraleve të reja bërthamore por është duke konsideruar të gjitha mundësitë që garantojnë stabilitet energjetik, ka konfirmuar ministrja e këtij vendi.

“Energjitë e ripërtëritshme dhe hidrocentralet e mëdha nuk janë të mjaftueshme. Ne do të bëjmë zvogëlimin gradual të prodhimit nga termocentralet me thëngjill në vitet në vijim, dhe do të na duhet të ndërtojmë kapacitete të reja energjetike’, ka shtuar ajo.

Në nëntor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic ka thënë se Serbia është duke konsideruar ndërtimin e një termocentrali bërthamor në bashkëpunim me ndërmarrjen ruse, Rosatom.

Në dhjetor, Rosatom ka nënshkruar marrëveshje për të marrë pjesë në ndërtimin e një qendre për studime bërthamore dhe të teknologjisë në Serbi.