Search

Serbia nuk do të rrisë çmimin e rrymës për bizneset

22 Shtator, 2022


Çmimi i energjisë elektrike për bizneset në Serbi nuk do të rritet, ka thënë kryeministrja e këtij vendi, Ana Brnabic, raporton Balkan Green Energy News.

Ditëve të fundit, në Serbi është përfolur se çmimi i rrymës për bizneset do të rritet nga 95 euro për megavat orë në 120, por këto lajme janë hedhur poshtë nga kryeministrja e këtij vendi. Ajo ka thënë se për momentin, amvisëritë në Serbi po paguajnë rreth 75 euro për megavat orë, ndërsa bizneset rreth 95 euro.

Ajo ka shtuar se çmimi real i furnizimit me rrymë për këto biznese është nga 350-600 euro për megavat orë, duke marrë parasysh çmimet e larta të importeve, por se përmes subvencioneve, Serbia nuk ka lejuar rritjen e çmimit për bizneset.

Ndryshe, Serbia tashmë ka rritur çmimin e rrymës për bizneset përmes miratimit të tarifave të reja energjetike në muajin gusht. Përmes tarifave të reja, nga 75 euro për megavat orë sa ishte, çmimi ishte rritur në 95 euro për megavat orë, apo për 27 për qind.

Vendimi i muajit gusht është i vlefshëm për deri në fund të muajit dhjetor, kur pritet të vendoset sërish mbi çmimet e rrymës.