Serbi: Parku 105.6 megavatësh i erës fillon prodhimin
May 20, 2024

Ndërmarrjet MK Group dhe Alfi Renewables kanë inauguruar parkun e erës Krivaqa në Golubac në lindje të Serbisë.
Parku me kapacitet të instaluar prej 105.6 megavatësh është ndër më të mëdhenjtë në rajon dhe ndër impiantet e para të këtij lloji në këtë pjesë të Serbisë, ndërsa të gjitha parqet tjera të ngjashme janë ndërtuar në veri të Serbisë në Vojvodinë.
Ndërtimi i projektit filloi në maj të vitit 2021. Ky është projekti i parë i energjisë së ripërtëritshme në Serbi me marrëveshje komerciale të blerjes së energjisë.
Vlera e përgjithshme e investimit është llogaritur të jetë 165 milionë euro, dhe projekti do të prodhojë 310 gigavat orë energji elektrike në vit, e mjaftueshme për të furnizuar 75,000 amvisëri në Serbi. Parku përbëhet nga 22 turbina të erës të prodhuesit Nordex dhe shtrihet në sipërfaqe prej 56 kilometrash katrorë.
Ndërmarrjet MK Group dhe Alfi Renewables kanë thënë se projekti do të ndihmojë në fuqizimin e sigurisë energjetike dhe në shmangien e rreth 120 mijë tonëve të dioksidit të karbonit në vit. Bashkë me parkun e erës, ndërmarrjet kanë ndërtuar edhe rrugë të reja në gjatësi prej 30 kilometrash, linja transmisioni me gjatësi prej 40 kilometrash si dhe një nënstacion.
Shitja e energjisë elektrike bëhet përmes marrëveshjes afatgjate të blerjes së energjisë me ndërmarrjen zvicerrane, AXPO.