Search

Scholz: Siguria energjetike e Gjermanisë për këtë dimër është e garantuar

24 Nëntor, 2022


Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka njoftuar të mërkurën se siguria energjetike e Gjermanisë për këtë sezon dimëror është “e garantuar” në mes të krizës energjetike të Evropës të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë, shkroi të mërkurën CNN-i.

“Është e garantuar sepse qeveria gjermane mori një kthesë të guximshme në drejtim dhe sepse familjet dhe kompanitë në të gjithë vendin kursejnë energji”, tha Scholz para Bundestagut në Berlin.

Ai theksoi se po punohet për t’u liruar nga varësia energjetike dhe tregtare e Rusisë dhe Kinës.

“Të mos bësh asgjë do të kishte një çmim shumë të lartë. Kjo është arsyeja pse ne po largojmë dështimet e një politike energjetike dhe tregtare që na ka çuar në varësi të njëanshme nga Rusia dhe Kina në veçanti,” shtoi ai.

Scholz tha gjithashtu se ndan qëllimin me presidentin francez Emmanuel Macron për një Evropë gjeopolitike që është “dukshëm më e aftë për të vepruar”.

/Koha