Search

Samiti i energjisë në Baku, ministrja e Shqipërisë: Do të ngremë infrastrukturën për gazin

04 Mars, 2024


Gazi është një burim alternativ i energjisë që i duhet Shqipërisë, edhe pse vendi është i varur 100% nga prodhimet prej burimeve të rinovueshme, si HEC-et dhe parqet fotovoltaike.

Kështu është shprehur zv/kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku në Ministerialin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit në Baku, ku ndër të tjera po diskutohet edhe për energjinë e gjelbër.

Me një videomesazh ajo ka zbuluar se mes liderëve dhe ekspertëve të tregut energjitik janë diskutuar të gjitha prioritetet që kanë të bëjnë me gazifikimin dhe ngritjen e infrastrukturës përkatëse për këtë burim alternativ të energjisë në Shqipëri.

“Është diskutuar gjatë dhe gjerë përsa i përket të gjithë prioriteteve që kanë të bëjnë me gazifikimin e disa prej vendeve kryesore apo edhe me linjat e transmetimit të gazit të cilat tashmë janë konkrete dhe operojnë në të gjithë Europën. Por pas agresionit rus në Ukrainë, sigurisht gazi ka qenë një nga çështjet më të rëndësishme të diskutuara përsa i përket furnizimit për të gjithë Europën, por sigurisht dhe krijimit të depozitave të sigurisë, pasi sot flitet gjerësisht për një axhendë të gjelbër që Shqipëria sigurisht kryeson ashtu si dhe vendet skandinave duke qenë se prodhimi jonë është i bazuar 100% mbi burimet e rinovueshme. Por nga ana tjetër krijimi i infrastrukturës së gazit dhe krijimi i një mundësie për të pasur burime alternative sigurisht do ti jepte Shqipërisë, por edhe rajonit një siguri më të lartë energjetike.”

Ndër të tjera numri dy i qeverisë shqiptare ka zbuluar se janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh me palën azerbajxhanase përsa i përket bashkëpunimit ekonomik në të ardhmen, por edhe një marrëveshje që heq përfundimisht vizat mes dy vendeve, duke i dhënë një hov të ri raportit mes Tiranës dhe Baku-s.

“Ne do të vazhdojmë me takime të rëndësishme gjatë ditës së sotme për të arritur dhe në konkluzione të tjera të zhvillimit ekonomik dhe të një përafrimi tjetër të marrëdhënieve që dy vendet tona kanë prej shumë kohësh në një mënyrë bilaterale të shkëlqyeshme.”