Sa do të kushtoj energjia elektrike për familjet nëse aprovohen tarifat e reja?
February 02, 2026

Sipas një llogaritje jo-zyrtare, një familje që shpenzon 800kWh energji elektrike për një muaj, me 60% të konsumit me tarifë ditore dhe 40% me atë të natës, me tarifat e propozuara do të paguante rreth 13€ më shumë se sa aktualisht.
Aprovimi eventual i propozimit për ngritje lineare të tarifave të energjisë elektrike për 21.3%, sipas një llogaritje jo-zyrtare të televizionit, do të bënte që tarifa e lartë apo ditore për konsumin mujor deri në 800kWh të shkonte nga 9.05 në 10.97 cent/kWh.
Ndërkaq, tarifa e ulët apo e natës në këtë bllok konsumi do të ngrihej në 4.70 cent/kWh nga 3.88 sa është aktualisht.
Për konsumin mujor të energjisë elektrike mbi 800kWh apo bllokun e dytë, tarifa e lartë do të shkonte në 18.71 cent/kWh nga 15.43 sa është aktualisht.
Tarifa e ulët apo e natës, ndërkaq, do të shkonte nga 7.28 në 9.55 cent/kWh.
Në shembullin e parë, një familje që do të regjistronte konsum mujor të energjisë elektrike në vlerë 800kW, të ndarë 60% me tarifën e lartë apo ditës dhe 40% të ulët apo natës, me tarifat e reja do duhej të paguante rreth 13€ më shumë se sa me ato aktuale.
Për këtë nivel konsumi, në raportin 60 me 40, aktualisht fatura është 60€, ndërkaq me tarifat e propozuara do të ishte 73€.
Në shembullin e dytë, një familje që do të regjistronte konsum mujor të energjisë elektrike 1200kWh, në raportin 60 me 40, do të merrte faturë rreth 26€ më të lartë se sa me tarifat në fuqi.
Derisa aktualisht, për këtë nivel konsumi, me këtë raport, fatura është 112€, me tarifat e propozuara do të ishte 138€.
Në këto llogaritje jo-zyrtare nuk përfshihen elemente, si: tarifa fikse, ajo për burimet e ripërtërishme të energjisë etj.
Sido që të jetë, deri në këtë fazë gjithçka mbetet në nivel propozimi pasi vendimi përfundimtar për tarifat, nga Zyra e Rregulluarit për Energji, do të merret vetëm pas shqyrtimit të aplikimeve dhe diskutimit publik, që pritet të vendoset deri në fund të marsit.
/Telegrafi