Search

Rukiqi kërkon tarifë industriale për prodhuesit e Kosovës, propozon programe të veçanta për të mbështetur efiçencën dhe prosumerët

13 Tetor, 2021


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, mbajti një konferencë për shtyp gjatë së cilës foli për gjendjen aktuale të sektorit të energjisë në Kosovë dhe më gjerë.

Rukiqi iu drejtua krizës aktuale të energjisë në botë, ndërsa adresoi edhe çështje të ndryshme të sektorit të energjisë në Kosovë, duke bërë disa rekomandime për qeverin për të ardhmen afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë të sektorit në Kosovë duke marrë parasysh implikimet e tij në klimën e të bërit biznes në vend.

Çmimet pritet të stabilizohen në 2022, por nuk do të jenë ato që kanë qenë në 2019

Rukiqi fillimisht iu drejtua krizës famëkeqe të energjisë që po shqetëson Evropën dhe më gjerë.

Ai citoi analistët e tregjeve financiare që parashikuan një stabilitet të çmimeve të energjisë elektrike në pranverën e ardhshme, por vuri në dukje se edhe atëherë çmimet nuk do të jenë të njëjta si në vitin 2019, si një nga vitet me çmimet më të ulëta.

“Kur pritet të stabilizohet? Jo më herët se pranvera e vonshme e vitit 2022. Për një gjë duhet të jetë e qartë, këtë e bëjnë të gjithë analistët e tregjeve financiare, kur kthehet një lloj stabiliteti në vitin 2022 çmimet nuk do të jenë ato që kanë qenë në vitin 2019 dhe që kanë qenë prej më të lirave”

Ai vazhdoi të shpjegojë implikimet që kanë këto çmime në sektorë të tjerë të ekonomisë.

“Kemi rritje të kostos së transportit, kemi rritje kosto së prodhimit të metaleve të rënda, pra prodhimi i metaleve të rënda kërkon shumë energji elektrke, ndoshta 80% e kostove të përgjithshme është energji elektrike”, tha ai.

“Shikoni rastin e fundit të celikut dhe aluminit çmimet kanë arrit një shkall të paparemendueshme janë pesë herë apo gjashtë herë më të larta se në vitin 2019, dhe kjo si pasojë e çmimit të energjisë elektrike”, theksoi Rukiqi

Energjia elektrike është një ndër top tri barierat e të bërit biznes në Kosovë

A do të ndikojë kriza në Kosovë, është një nga pyetjet më të shtruara brenda sektorit këto ditët e fundit.

Rukiqi shpjegoi se efekti është tashmë i dukshëm, pasi një nga ndërmarrjet më të mëdha në vend, Ferronikeli, u detyrua të ndërpresë përkohësisht operacionet e saj për shkak të çmimeve astronomike në tregun e energjisë.

Për më tepër, kryetari i odës ekonomike deklaroi se ka një diskriminim tarifor ku bizneset paguajnë barrën më të madhe të energjisë elektrike, pasi vuri në dukje se kostoja e energjisë elektrike është e barabartë me 25% të kostove totale në më shumë se 60% të bizneseve në Kosova.

“Në një analizë që kemi bërë para pandemisë për koston e energjisë elektrike dhe ndikimin tek bizneset, kemi parë që energjia elektrike apo kostoja është një ndër top tri barierat për të bërit biznes në vend”, tha ai.

“Pra, ka një diskriminim tarifor ku bizneset paguajnë barrën më të madhe të energjisë elektrike, që prodhohet dhe shpërndahet në vend. Dhe kjo normalisht që ka ndikuar edhe aftësinë konkurruese ndër vite”, theksoi ai.

“Nëse shohim në total mbi 60% e bizneseve kostoja e energjisë elektrike është sëpaku 25% e kostove totale, që është bajagi kosto me ndikim në çmimin e produkteve që mund të dalin nga një kompani”, tha ai.

“Kjo ka filluar të jap ndikimin e vet. Kemi rastin e Ferronikelit, shumë shpejt mund të ndikojë edhe sistemin tjetër minerar. Mund të ketë ndikim edhe tek kostot e prodhimit të ujit edhe tek kostot e ngrohjes, edhe në këtë rast përdoren burime të caktuara të energjisë”, tha Rukiqi.

Kosova duhet të zgjidh problemin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, 100% green apo e gjelbërt është e pamundshme për shkak të kostove financiare dhe aspektit teknik

Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë vlerësoi se Kosova dhe qytetarët e saj ende nuk e kanë idenë se nga do të vijë furnizimi i saj me energji elektrike në të ardhmen, apo në të ardhmen e afërt.

Ai shpjegoi se për shkak të këtij problemi, ka hezitim të pamohueshëm për investime të huaja në Kosovë.

“Kosova duhet të zgjidh problemin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike. Nuk është vetëm çështje a kemi energji elektrike për drita apo nuk kemi, apo për ngrohje, dhe nevoja bazike, për është një çështje kyce edhe për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Rukiqi.

“Kosova sot nuk e din nga ka me siguru energjinë elektrike pas 5 viteve, 10 viteve, 15 viteve, 20 viteve, 30 viteve, dhe kjo është përgjigja e parë që duhet të japin institucionet e vendit”, theksoi ai.

“Ta keni parasysh, investitorët e huaj në planet e tyre për investime e fusin koston dhe mënyrën e furnizimit me energji elektrike, në asnjë vend nuk investohet nëse nuk ka qartësi se si do të sigurohet dhe sa do të jetë kostoja e energjisë elektrike, dhe kjo është themelore”, tha ai ndër të tjera.

“Për më shumë, ne që kemi qenë në rrjedha, ndër vite, e kemi kuptuar që tek parnterët strategjik që kanë qenë të involvuar në sigurinë kombëtare të vendit siguria energjetike trajtohet si pjesë e aspektit të sigurisë kombëtare”, tha ai.

Për më tepër, Rukiqi deklaroi se energjia 100% e gjelbër është e pamundur për shkak të kostove financiare dhe aspektit teknik, prandaj çdo vend duhet të ketë një rezervë të ushqyer nga një burim konvencional energjie.

“Prandaj, e para përgjigje që ne duhet të japim si shoqëri me ata që na përfaqësojnë është si do të furnizohemi në të ardhmen”, theksoi ai.

“E kam thënë, e thonë edhe ekspertë, dhe krizat e fundit e kanë dëshmuar që 100% green apo e gjelbërt është e pamundshme për shkak të kostove financiare dhe aspektit teknik”, tha ai.

“Prandaj çdo vend duhet ta ketë një rezerv nga burimet konvencionale. A mund të jetë gaz, a thëngjill, a metan, a biometan, a hidrogjen, janë disa forma që po diskutohen dhe kjo mbetet të përcaktohet nga qeveria dhe kuvendi”, tha ai.

Kosova duhet urgjentisht të ketë programe të vecanta në vlera goxha të mëdha për të përkrah eficençën e energjisë tek bizneset dhe tek amviseritë

Në aspektin afatmesëm, Rukiqi theksoi se masat e eficençës së energjisë, si dhe promovimin e konsumatorëve vet-prodhues, prosumers, si alternativat kryesore për të ulur konsumin e përgjithshëm dhe për të lehtësuar barrën nga rrjeti kryesor.

Megjithatë, ai vuri në dukje se një mbështetje e fortë nga qeveria e Kosovës duhet të ofrohet për të zbatuar këto rekomandime.

Për më tepër, ai gjithashtu listoi instrumentet financiare që janë në dispozicion nga bankat evropiane që do të lehtësonin investime të tilla, por vuri në dukje se burokracitë, veçanërisht nga ZRRE, duhet të ndryshohen.

“Në aspektin afat-mesëm, e kam parasysh bugjetin për vitin e ardhshëm për projekte të ndryshme që përfshijnë edhe këtë programin e ri të BE-së për financim të vendeve të Ballkanit, Kosova duhet urgjentisht të ketë programe të vecanta në vlera goxha të mëdha për të përkrah eficençën e energjisë tek bizneset dhe tek amviseritë. Pra një ndryshim fundamental se si ndërtohet, se si renovohet duke ndryshuar pjesën e fasadave, izolimeve, të pjesës së dritareve, të ngrohjes, sistemet e ngrohjes së ujit vecanërisht kan një kosto”, theksoi Rukiqi.

“Dhe kjo ka dy efekte, e ulë konsumin në anën tjetër edhe te faturat secili do ta sheh efektin për shkak se në fund të muajit do ta ketë një fatur më të favorshme apo në vlerë më të ulët”, tha ai.

“Dhe e dyta, të mundësohen investimet në burimet e ripërtëritshme, unë jam duke folur për bizneset”, tha ai.

“Rregullatori duhet të jetë më fleksibil, në interpretimin që i bëhet kësaj çështje, gjithmonë duke ruajtur stabilitetin e rrjetit, por gjithmonë duke parë projekte të cilat bizneset kanë mundësi të bëjnë”, tha ai.

“Dhe ka edhe instrumente financiare të BERZH dhe të tjerëve për të instaluar kryesisht kulmet solare të cilat pastaj mundësojnë vet-konsum të energjisë dhe kjo ndikon në kosto të binzeseve dhe ndikon në ulje të konsumit”, theksoi Rukiqi.

“Kjo duhet të bëhet, dhe duhet të ketë instrumente financiare nga qeveria që të bëhet, përvec aspektit rregullativ që lidhet me ZRRE”, tha ai.

“Mund të jetën edhe me biomasë apo me erë, po kryesisht fokusi duhet të jetë tek solaret”, theksoi ai.

Tarifa industriale për prodhuesit e Kosovës

Në fund, kryetari i odës ekonomike propozoi një tarifë industriale e cila pasqyron nevojën që prodhuesit të kenë kosto të përballueshme për të qenë konkurrues, veçanërisht kompanitë eksportuese ose kompanitë që duhet të jenë konkurruese në tregjet globale

“Tani një element tjetër që vazhdojmë ta propozojmë dhe do ta elaborojmë tutje me qeverinë, me rregullatorin, me parlamentin e vendit, është tarifa industriale”, tha ai.

“Një tarifë e cila është e vecant për prodhuesit edhe e cila reflekton nevojën që këta prodhues të kenë kosto të përballueshme për me qenë konkurrues, sidomos kompanitë që eksportojnë apo kompani që duhet të jenë konkurruese në tregjet globale por edhe në tregun vendor dhe kjo tarifë mund të zbatohet në shumë vende të cilat e kanë përkrah sektorin e prodhimit”, tha ai.