Search

Rritja e pagës minimale – Një nga arsyet e KESCO për rritjen e të hyrave

February 04, 2026


KESCO në kërkesën e saj ndaj ZRRE-së, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ka përmendur edhe rritjen e pagës minimale.

Një ndër arsyet që Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ka përmendur në kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë për 21.4 për qind për vitin 2026, është edhe rritja e pagës minimale, shkruan VOX Kosova.

Në dokumentin e dorëzuar në ZRRE, te kostot me pakicë, thuhet se kompania përveç furnizimit me energji elektrike ka obligime operative për të siguruar shërbime të rregullta dhe funksionale për konsumatorët, përfshirë proceset e faturimit, informimit, kujdesit ndaj konsumatorëve, zbatimit të kërkesave ligjore dhe përputhshmërisë me standardet e shërbimit.

Te kjo pikë potencohet çështja e vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 425€ nga janari 2026 dhe në 500€ nga korriku 2026. Aty theksohet se pritet një efekt zinxhiror në kostot operative të Furnizuesit me Shërbim Universal.

“Ky vendim, i cili është i detyrueshëm dhe jashtë kontrollit të FSHU-së, do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e shërbimeve esenciale të ofruara nga kompanitë partnere dhe nën-kontraktorët, si sigurimi fizik, pastrimi, mirëmbajtja dhe shërbimet teknike mbështetëse, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e kompanisë”, thuhet në aplikimin e KESCO-s.

Qeveria në detyrë e Kosovës, më 31 tetor, kishte marrë vendim për ta rritur pagën minimale.

Kjo rritje, siç pati thënë Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, do të bëhet në dy faza – fillimisht në janar dhe më pas në korrik të këtij viti.

Nga ana tjetër, që nga viti 2021, të paktën 2 herë është shtrenjtuar rryma nga ZRRE-ja për konsumatorët.

Në vitin 2023, ZRRE rriti faturat për 15.4%, ndërsa në vitin 2025 rritja ishte 16.1%.

/VOX Kosova