Rritet energjia e tregtuar në bursën shqiptare të energjisë, ndikon bashkimi i tregjeve me Kosovën
28 Maj, 2024
Bashkimi i tregjeve energjetike Shqiqëri – Kosovë ka rritur volumet e tregtuara në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX.
Sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN për periudhën janar – prill 2024 në total përmes këtij instrumenti janë tregtuar 493,404 mWh energji apo më shumë se gjysma e sasisë që u tregtuar gjatë vitit 2023.
Sa i takon çmimit mesatar, me të cilin është tregtuar energjia, ai varion nga 61,04 euro/ mWh që është çmimi më i ulët, në 90,47 euro/ mWh, që është më i larti.
ALPEX nisi operimet në datën 11 prill 2023, por Ankandet e Ditës në Avancë zhvillohen si bashkim tregjesh mes 2 vendeve, nisën në 1 shkurt të këtij viti.
Sipas raporteve për 4 -mujorin e parë 2024, volumi i energjisë së tregtuar për zonën e ofertimit të Kosovës përbën 37% të energjisë totale në tregtuar në bursë. Gjithsesi, të dhënat tregojnë se sasia ka ardhur në rritje nga muaji në muaj, teksa në muajin prill volumi për zonën ofertuese të Kosovës, ka tejkaluar atë të Shqipërisë.
Aktualisht, numri i kompanive që mund të kryejnë transaksione të shit – blerjes për 2 zonat ofertuese të Shqipërisë dhe Kosovës është 24.
Nga Shqipëria janë listuar në total 19 kompani, 14 prej të cilave janë private dhe 5 publike.
Ndërkohë, sa i takon Kosovës numri i kompanive të listuara ka shkuar në 5. Funskionimi i bursës paraqet një sërë avantazhesh, që lidhen me çmimet konkurruese, si dhe ofron një sinjal transparent të çmimeve për investime në energji.
/SCAN