Search

Rizvanolli para qytetarëve të Prishtinës: Strategjia e Energjisë 2022-2031, i jep rëndësi energjisë së ripërtërishme

24 Qershor, 2022


Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë prezantuar për qytetarët “Strategjinë e Energjisë 2022 – 2031”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Kosova po ndjek shembullin e BE-së dhe ShBA-së, dhe se synon që të rrisë furnizimin me energji të ripërtrishme deri në vitin 2031.

“Jemi në një kohë kur duhet të kemi një strategji. Kemi dhënë zgjidhje të reja për të ardhmen. Nga njëra anë ShBA-ja është duke bërë përpjekje që të heqim dorë nga energjia me bazë fosile. Kjo ka pasur ndikim pozitiv në investime, hulumtime, inovacion e posaçërisht në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme”, tha ajo.

“Strategjia jonë e energjisë është 100 përqind në përputhje me planet e BE-së. Ne si shtet duke qenë pjesë e proceseve të reformave dhe nënshkrues të traktatit të energjisë, mirëpo edhe për agjendën e gjelbër në Sofie, kemi marrë premtime për ta bërë Kosovën shtet neutral sa i përket emetimit të dioksidit të karbonit.”

“Siguria e furnizimit do të thotë furnizim i rregullt me energji elektrike me çmime të përballueshme dhe kjo do të bëhet me disa masa. Do të investohet në termocentralin Kosova B, edhe në një njësi të Kosovës A. Do të investohet në mënyrë të kapaciteteve diellore dhe nga ato nga era, me qëllim që një pjesë e qymyrit të zëvendësohet me produkte të pastra.”

Rizvanolli tha se deri në vitin 2031 synohet që kapaciteti i energjisë së ripërtëritshme të rritet 35 përqind, raporton Ekonomia Online.

“Për të qenë në gjendje për të integruar këto burime të ripërtritshme do të duhen investime në rrjet. Deri në vitin 2031 synojmë që 35 përqind të rrisim kapacitetin e energjisë së ripërtritshme”.

Ajo tha se është shumë e rëndësishme që të ketë pajtueshmëri sa i përket sektorit të energjisë, duke marrë parasysh se që një kohë të gjatë nuk ka pasur investime serioze në energji.

“Pjese e grupit punues kanë qenë ZRrE, KOST, KEK etj. Kemi pasur ndihmë teknike edhe nga GIZI. Gjatë shumë diskutimeve që kemi pasur me shoqërinë civile, qytetarë, ekspert, ka pasë shumë ide për rrugën që Kosova duhet të ndjekë. Ka pas pajtime në atë se ku duhet të jetë ky sektorin në planin afatgjatë. Është e rëndësishme që të kemi pajtueshmëri duke qenë që kanë kaluar 20 vite që nuk ka pas investime serioze në energji e as planifikim.”

Rizvanolli ka thënë se gjatë vitit të ardhshëm në Kosovë pritet të gjenerojë edhe kompania shqiptare IPEX, teksa shtoi që në 8 vitet e ardhshme pritet që të rritet bashkëpunimi edhe me vende të tjera të rajonit.

“Integrimi i tregut në Shqipëri është me rëndësi të lartë për ne. Operatizimi i bursës shqiptare IPEX pritet të gjenerojë në Kosovë gjatë vitit tjetër. Hapi tjetër është edhe marrëveshja tjetër që ka të bëjë që Kosova të rezervojë kapacitete të energjisë me gaz, gazi i lëngshëm natyrorë”.

“Një integrim më tej i përshpejtuar me Shqipërinë, Maqedoninë, Greqinë do të jetë një ndër drejtimet që do punojmë gjatë 8 vjetorit të ardhshëm. Qeveria është e përkushtuar që këtë transformim të energjisë. Këtë do ta bëjë duke u siguruar të bëjë drejtësi sociale, duke u siguruar që të zgjedhin mes furnizuesit sa i përket blerjes së pajisjeve, materialeve ndërtimore.”

Rëndësi të veçantë ministrja Rezvanolli tha se i është dhënë edhe grupeve të cenueshme që të bëjnë investimet e duhura.

“Tejet e rëndësishme është që në këtë tranzicion energjetik askush mos të mbetet mbrapa. Duhet të sigurohemi që grupet e cenueshme të kenë përkrahjen e duhur që të bëjnë investimet e duhura për të pasur një jetë më të mirë.”

//Buletini Ekonomik