Search

Rizvanolli: Kosova do të bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive

02 Maj, 2024


Ka hyrë dje në fuqi programi MCC-në i cili vendosë Kosovën në rend të parë të zhvillimeve botërore të energjisë, ka treguar të martën Artane Rizvanolle, ministre e Ekonomisë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, të mërkurën ajo ka shkruar se me rezerva prej se paku 340 MWh, Kosova do të bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë.

“Sapo nënshkruam marrëveshjen e hyrjes në fuqi të programit me Cameron Alford, Zëvendëspresident në Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Programin e kemi dizajnuar dhe përgatitjet intensive i kemi përfunduar me sukses së bashku ekipet e Kosovës e të MCC-së, në një partneritet të shkëlqyeshëm”, ka thënë Rizvanolli.

“Ky partneritet do të vazhdojë me po të njëjtin përkushtim në mënyrë që të ndërtojmë infrastrukturën kyçe për një sektor modern e të pastër të energjisë, e njëkohësisht të sigurohemi që – të parët në rajon – të rinjt e të rejat tona i aftësojmë e i përfshijmë në këtë sektor dinamik që do të krijojë vende të punës”, ka shkruar ajo.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), në korrik të vitit 2022 kishin nënshkruar në Uashington Programin e ri Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe në të njëjtën kohë t’i kursejë shtetit miliona euro në vit.