Search

REL: Edhe një dimër me ajër të ndotur

31 Tetor, 2022


Teksa stina e dimrit afrohet, qytetarët e Prishtinës edhe këtë vit do të ballafaqohen me ndotje të lartë të ajrit. Kryeqyteti kosovar shpesh gjatë viteve të kaluara është renditur në listën e vendeve me ajrin më të ndotur në botë.

Ndotësi më i madh është Korporata Energjetike e Kosovës që furnizon gjithë shtetin me energji elektrike, e cila prodhohet nga thëngjilli dhe gjendet pak kilometra larg Prishtinës.

Gjendja edhe më shumë keqësohet në situatën kur kriza energjetike është kthyer në një ndër problemet më të mëdha. Me çmimet e larta, qytetarët detyrohen që ngrohjen ta sigurojnë duke djegur thëngjill, dru e lëndë të tjera, të cilat kontribuojnë në uljen e cilësisë së ajrit.

Emin Islami, 58-vjeçar i cili jeton në Prishtinë, thotë se gjatë stinës së dimrit është i obliguar të zhvendoset në fshat, në të kundërtën ai thotë se përfundon në spital si pasojë edhe e një sëmundjeje kronike nga e cila vuan.

“Ajri është shumë i papastër në Prishtinë, sidomos në stinën e dimrit. E kemi Obiliqin afër, veturat, thëngjilli. Unë jam vetë i sëmurë kronik. Unë, personalisht, dimrit shkoj në fshatin Dyz, prej nga e kam prejardhjen. Vetëm kur jam i detyruar për shkak të punës, përndryshe largohem shkaku i ajrit, sepse është i papërballueshëm dhe përfundoj në spital”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Islami bën thirrje tek institucionet të gjejnë zgjidhje që kjo situatë të mos përsëritet secilin vit.

Besfort Kosova, nga iniciativa rajonale Balkan Green Foundation thotë se cilësia e ajrit është shumë e ulët për shkak të shumë faktorëve, si ngrohja me lëndë të ngurta.

Ai sqaron se si grimcat mikroskopike të liruara nga djegia e lëndëve që përdoren për ngrohje në Kosovë ndikojnë në shëndetin e qytetarëve.

“Këto (lëndë), që digjen nëpër stufa, të cilat i kanë qytetarët për ngrohje, lirojnë ndotës në atmosferë, sidomos PM 2.5, PM 10. Këta janë partikuj të imët, të cilët futen në sistemin e brendshëm të organizmit të njeriut dhe shkaktojnë probleme të ndryshme dhe nga të cilat është jashtëzakonisht e vështirë të mbrohet”, thotë Kosova.

Pulmologu Flamur Marku duke folur për komplikimet shëndetësore të shkaktuara nga ajri i ndotur, jep edhe këshilla për masat individuale që mund të merren në mënyrë që të zvogëlohet dëmi i shkaktuar nga ndotja.

“Ato grimca, ndotja që lirohet, krijojnë pengesa të mëdha sidomos në rrugët e frymëmarrjes, ku shfaqet keqësim i sëmundjeve ekzistuese si bronkiti, sëmundjeve kronike obstruktive, sëmundjeve të mushkërive apo edhe astmës bronkiale”, thotë Marku.

Ai shton se në raste të shpeshta ndodh që këta pacientë të kenë nevojë edhe për hospitalizim për marrjen e oksigjenit shtesë.

“Këtu duhet të shtohet se jo vetëm rastet ekzistuese keqësohen, por kemi shtim edhe të rasteve të reja, edhe pacientë në moshë të re shfaqin probleme sidomos respiratore”, thotë ai.

Numri më i madh i pacientëve me komplikime të shkaktuara nga ajri i ndotur është në periudhën nga fillimi i muajit nëntor deri në muajin mars, kohë kur lëndët djegëse përdoren më së shumti për ngrohje.

“Këshilla jonë për këta pacientë është që ata duhet ta shmangin pikun e ndotjes, siç janë orët e mëngjesit dhe orët e mbrëmjes. Por, nëse e kanë patjetër lëvizjen në ato kohë, atëherë duhet të vendosin maska apo edhe ta përdorin shallin për mbrojtje”, thotë Marku.

Deri në vitin 2018, Korporata Energjetike e Kosovës u ka dhënë thëngjill si dhuratë punëtorëve të saj. Më 2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka marrë vendim për ndalimin e dhënies së thëngjillit si dhuratë për punëtorët e KEK-ut.

Së fundmi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se e ka shfuqizuar këtë vendim, në mënyrë që punëtorët të ndihmohen për tejkalimin e krizës.

Ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë janë edhe automjetet, sidomos ato më të vjetruara. Ndërsa edhe pse jo në raste të shpeshta, ka nisur përdorimi i makinave elektrike.

Fidan Hallaqi që udhëheq një biznes me shërbime taksie në Prishtinë, operon me 20 vetura 100% elektrike. Edhe pse si kontribuues në ruajtjen e cilësisë së ajrit, ai thotë se nuk lirohet nga asnjë taksë nga shteti.

“Përkundër iniciativave që kemi ndërmarrë qoftë me Ministrinë e Infrastrukturës, qoftë në nivel komunal, nuk ka pasur ndonjë mbështetje. Si kompani, i kemi mbuluar të gjitha shpenzimet vetë deri në ndryshimin apo rritjen e kapacitetit të trafove për shkak të nevojës së stacioneve të mbushjes me kapacitet më të lartë”, thotë Hallaqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Besfort Kosovës, një masë shumë e rëndësishme është ngritja e vetëdijes për rrezikun që shkakton cilësia e ulët e ajrit dhe format se si qytetarët mund të kontribuojnë në përmirësimin e kësaj cilësie.

“Një ndër format më të mira do të ishte, aty ku është e mundur, të shfrytëzohen pajisje efiçiente siç janë pompat termike apo klimat, të cilat kanë kosto operative më të ulët, përveç asaj në investimin për instalimin e tyre”, thotë Kosova.

Në raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021 rekomandohet zbatimi i masave specifike sipas sektorëve përkatës duke përfshirë ndër të tjera edhe rritjen e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe reduktimin e përdorimit të thëngjillit për prodhim të energjisë, largimin e veturave të vjetra nga qarkullimi dhe zbatimi i standardeve të kontrollit të automjeteve dhe promovimi i transportit të qëndrueshëm me më pak trafik motorik, e të tjera.

Sidoqoftë, planet afatgjate duken larg realizimit, ndërkohë që qytetarët kalojnë secilin dimër me frikën e komplikimeve shëndetësore që kjo ndotje u shkakton.

/REL