Search

Refuzohet nga Gjykata Themelore padia ndaj ZRRE-së – Paralajmërohet ankesë në Apel

May 15, 2025


Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar padinë e dorëzuar ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, kundër vendimit për shtrenjtimin e rrymës për 16.1%.

Avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për Telegrafin ka thënë se: “Fillimisht vlen të sqarohet se kemi të bëjmë me masë të përkohshme, përkatësisht propozimin që  vendimi i ZRRE-së të mos zbatohet derisa gjykata të vendosë në lidhje me padinë, e jo me padinë”.

Ai ka njoftuar se e ka pranuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku kjo e fundit e ka refuzuar propozimin e tyre për sa i përket masës së sigurisë, gjegjësisht propozimit për shtyrje të zbatimit të vendimit, me arsyetimin se një propozim i tillë nuk paraqet dëme për palët vështirë të riparueshme dhe se një propozim i tillë nuk është kundër interesit publik.

“Me ta pranuar aktvendimin e kemi analizuar dhe tashmë do e deponojmë ankesën në Gjykatën e Apelit, ku sipas bindjes tonë arsyetimet e dhëna në vendim janë të paqëndrueshme, ngase pasojat e këtij vendimi tashmë vetëm kanë filluar të vërehen, dje Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publiku indeksin e çmimeve, ku kemi një rritje prej 3% në përgjithësi, e me theks të veçantë të disa prej produkteve bazë, çka argumenton të kundërtën e asaj që ka theksuar gjykata e shkallës së parë. Po ashtu edhe çmimi i energjisë në bursën ndërkombëtare nuk është që ka ndonjë rritje aktualisht, për çka do të cenohej interesi publik”, tha Bajraktari.

Sipas tij, të gjitha këto konstatime në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë i kanë kundër-argumentuar në ankesë me prova konkrete dhe presin që të njëjtat të merren në konsideratë nga gjykata e shkallës së dytë.

/Telegrafi