Search

Reagon ZRRE pas vendimit të gjykatës – Kontratat me furnizues duhet të lidhen para 16 gushtit

August 14, 2025


Zyra e Rregullatorit për Energji ka konfirmuar se ka pranuar nga Gjykata Komerciale, aktvendimin lidhur me masën e sigurisë për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Në njoftimin e ZRRE-së, thuhet se aktvendimi i gjykatës Komerciale ka aprovuar ankesën e ZRrE dhe ka ndryshuar pikën IV të Aktgjykimit KA.nr.301/25 të po kësaj gjykate, me ç’rast ka refuzuar padinë për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

“Ashtu siç kemi theksuar edhe më herët, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale. Ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet nga gjykatat kompetente, së fundi edhe nga Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e rregullatorit.

Më tej, ZRrE u bën thirrje të gjithë konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit me energji elektrike, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar të publikuar në faqen zyrtare të ZRrE, sepse nga data e 16.08.2025 konsumatorët komercial të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar do të ndërpriten nga furnizimi me energji energjetik.

KESCO apelon për lidhje të kontratave – Ofron kapacitet të shtuara për të përshpjetuar proecedurat

KESCO po ashtu ka njoftuar bizneset në tregun e hapur të energjisë elektrike se procesi i zgjedhjes së furnizuesit vazhdon sipas afateve të përcaktuara.

Në mënyrë që të sigurohet furnizimi i pandërprerë me energji elektrike gjatë fundjavës, KESCO ka marrë vendimin që “të punojë me kapacitete të shtuar për pranimin e konsumatorëve që nuk kanë nënshkruar ende kontratë, deri më 15 gusht 2025 (e premte), ora 12:00 në mesditë”.

“Nga e hëna, procesi i nënshkrimit të kontratave do të vijojë rregullisht, në përputhje me afatet kohore të përcaktuara në rregullat e tregut”, njofton KESCO.

Furnizuesi, KESCO, ka ftuar të gjithë konsumatorët biznesorë që të mos vonohen në procedurat për nënshkrimin e kontratave.

“Ju ftojmë të veproni pa vonesë për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit tuaj me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

/Telegrafi