Search

Reagon Abazi për Strategjinë e Energjisë: Kosova ka mungesë të energjisë termike dhe jo asaj elektrike

22 Shkurt, 2023


Sot në Kuvendin e Kosovës do të diskutohet edhe për aprovimin e strategjisë së re kombëtare të Kosovës për energji elektriike, dhe këtë dokument sërish e ka kundërshtuar Haki Abazi, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ekuacioni i problemit është i shtruar gabim. Kosova ka mungesë të energjisë termike dhe jo asaj elektrike. Po ashtu strategjia na dërgon në rrugën e gabuar që do të dëmtoj biznesin prodhues duke e diskriminuar për shkak të taksës së karbonit që do të filloj të aplikohet në tetor 2023 në BE dhe çdo prodhim që përdor energji elektrike të gjeneruar nga fosilet dhe do të taksohet”, kështu ka vlerësuar deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Haki Abazi.

Më tej Abazi ka thënë Strategjia e Energjisë është veprimi gabuar që sipas tij kjo e lënë Kosovën keq sikurse ka qenë përgjatë këtyre 20 viteve të fundit.

“Strategjia e Energjisë e sjellë dje në Kuvend dhe insistimi për aprovim sot është hap e veprim i gabuar dhe ka rënë në kurthin e interesave të ngushta nga strukturat e kaluara”, ka shkruar në Facebook deputeti.

Postimi i plotë i deputetit nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazit:

Pas dështimit për aprovim të dokumentit të ashtuquajtur strategji e energjisë me 23 dhjetor 2022, sot po provojnë me sjellë për aprovim prap në Kuvend, pa asnjë ndryshim.

Ja argumentimi qe kam bërë me 22 dhjetor, pse kjo strategji është gabim dhe e lë Kosvën po aq keq sa e kanë lënë të tjerët për 20 vite:

Gjelbër apo ngjyrë kafe

Strategjia e Energjisë e sjellur dje në Kuvend dhe insistimi për aprovim sot është hap e veprim i gabuar dhe ka rënë në kurthën e interesave të ngushta nga strukturat e kaluara. Ekuacioni i problemit është i shtruar gabim. Kosova ka mungesë të energjisë termike dhe jo asaj elektrike. Poashtu strategjia na dërgon në rrugën e gabuar që do të dëmtoj biznesin prodhues duke e diskriminuar për shkak të taksës së karbonit që do të filloj të aplikohet në tetor 2023 në BE dhe çdo prodhim që përdor energji elektrike të gjeneruar nga fosilet dhe do të taksohet.

Vizioni i këtij dokumenti të sjellur në kuvend nuk përfshinë: Pastërtinë, efiçiencën, dekarbonizimin dhe as trazicionin në burime të rinovueshme të energjisë që poashtu kjo rikonfirmohet në sekuencimin e objektivave strategjike që janë gabim fundamental dhe në kundërshtim me atë që është premtuar:

I. Tek objektivi i parë mungon caku kryesor që është zvogëlimi në minimum i efekteve të sistemit energjetik në shëndetin publik.

Mungon objektivi për transformimin e transportit në transport të pastërt dhe eliminimin e makinave me motor djegës ashtu siç është duke bërë Evropa. Përveç që kjo na le mbrapa në skemat mbështetëse dhe përfitimet nga fondet ndërkombëtare, e bënë Kosovën një parajsë të makinave dhe kamionëve që dalin nga tregu atje dhe sillen këtu si ndotës masiv të ajrit dhe çdo gjë në mjedisin tonë.

Në mënyrë të posaçme problem me këtë strategji është që nuk ka të caktuar si objektiv përqindjen e BRE-ve, por në mënyrë specifike ka për objektiv revitalizimin e kapaciteteve ekzistuese që në fakt si fjali tregon djallëzinë e fshehjes të së vërtetës. Kosova A është një bombë ekologjike dhe këtë e dimë të gjithë. Ajo nuk mund të rivitalizohet, përveç që në themelet e saja dhe në muret e disa nga ato ndërtesa mund të fshehen gjeneratorët dhe turbinat e një termocentrali të ri nga linjiti.

Fakti që në objektivin e parë flitet për kapacitete të reja nga linjiti dhe në të dytin për dekarbonizim, kjo tregon mungesën e logjikës teknike dhe kontradiktën e thellë. Në njërën anë doni të shtoni kapacitete të reja nga linjiti që tani në shumicën e muajve është në kapacitet prej 95%, si dhe në anën tjetër flisni për dekarbonizim.

Fjalia që kjo strategji ka synim të siguroj energji me çmime të përballueshme për qytetarët në rastin më të mirë ky është naivitet nëse nuk është mashtrim i paqëllimshëm. Ajo që po thoni në këtë strategji është se linjiti është burimi më i lirë dhe atë e kemi këtu afër, në bazenet e Obiliqit e të Shipitullës, Këshilltarët e RIINVEST-it dikur në qeveritë e kaluara kanë pasur edhe ide të krisura për të hapur bazenin e Klinës. Është fatëkeqësi që ata prap kur ju këshillojnë juve bëjnë të njejtën gjë dhe ju i ndëgjoni ashtu siç i kanë ndëgjuar këta që sot janë në opozitë dhe e kanë lënë sistemin të degraduar e të paqëndrueshëm.

Por, ajo që është me rëndësi të theksohet është që linjiti nuk është më i liri, por përkundrazi është shumë i shtrenjtë, që i kushton direkt shëndetit publik në vlerë deri 200 milionë në vit, shkatërrim i pakthyeshëm i tokave bujqësore që është në vlera miliarda euro, shpenzimi i ujit për ftohjen e turbinave dhe procesit teknologjik, ky ujë që është njëherit uji i pijes dhe uji për ujitje për një bujqësi të zhvilluar dhe organike, që poashtu është me miliarda euro. Pyetni Holandën se sa fiton në vit nga bujqësia e organizuar dhe e pastërt regjeneruese?!

Ndotja dhe kontaminimi i ujrave nëntokësore nga hedhja e hirit dhe kemikaleve që lirohen si pasojë e mbetjeve pas djegies, shkatërrimi i biodiversitetit si rezultat i shkatërrimit të sipërfaqeve tokësore në rajonet ku hapen minierat e linjitit. Këto e bëjnë energjinë elektrike të prodhuar nga linjit shumë më të shtrenjtë.

E vetmja gjë e lire është forma e përfitimit të KEDS duke blerë rrymën e lirë në dalje të prodhimit dhe për të mos e qarë kokën për atë listë të gjatë të dëmeve dhe kostove eksternale që shkaktohen si pasojë e prodhimit të energjisë.

Por pikërisht për këtë gjë është shteti dhe shkenca, që të kalkulohet e tëra dhe çdo faktorë dhe për këte arsye çdo gjë që është futur në këtë strategji do të duhej të kishte një studim paraprak fizibiliteti tanimë sepse kemi 20 vite tentimi për të ndërtuar një termocentral thëngjillie që asesi të bëhet dhe ju garantoj që nuk do të bëhet apo nëse do t’a bëjë dikush do ta mbyll ende pa e hapur sepse kjo formë është poashtu në kundërshtim me politikat e BE-së.

II. Në objektivin e dytë flisni për promovim dhe jo për caqe të sakta të përqindjes së BRE-ve dhe as efiçiencës. Kjo flet shumë për qeveri që bënë promovime dhe nuk ka strategji për arritjen e caqeve të caktuara. Promovim bëjnë shoqatat, kurse qeveria bën plane dhe zbaton plane.

Nëse kapaciteti i BRE deri në vitin 2031 ka me qenë 1600 MW dhe kjo sipas strategjise i bie se 1600 MW janë 35% e kontributit, na tregoni se sa totali i gjenerimit ni vitin 2031 do të jetë diku rreth 4600 MW, nga do të vijnë 3000MW tjerë, nga thëngjilli?

III. As edhe në objektivin strategjik pesë,nuk flitet asnjë fjalë se çfarë janë caqet për ruajtjen e mjedisit dhe shëndetit publik. Kjo do të duhej të ishte në fakt çështja kryesore sepse çfare na duhet energjia nçse kemi një komb të sëmurë e të lodhur, për çfarë na duhet zhvillimi që është vrasës për qytetarin dhe gjeneratat e ardhshme, si dhe për mjedisin që e kemi edhe ashtu më të degraduarin në Evropë dhe besoj edhe me gjerë.

A do të ndalohet prerja e drunjëve? A do të ndalohet ndërtimi në parqe kombëtare? A do të ketë ligj për kodin e ndertimit? Kur do të bëhet ligji, pse nuk është bërë ligji për kodin e ndëtimit në aspektin energjetik dhe efiçiencës?

Kur do të ndalohet keqpërdorimi dhe shkatërrimi i brigjeve të lumenjëve nga ekspolatimi i egër i rërës?

Shikojeni figurën nr. 1 në faqe 13 të strategjisë dhe e kuptoni që në fakt asnjë ndërlidhshmëri nuk kanë objektivat strategjike, në figurë objektiva e parë strategjike as që është e përfshirë, por edhe definimi i Dekarbonizimit dhe Promovimit të Energjisë së Ripërtëritshme është jashtë çfarëdo përkufizimi teknik dhe logjik.

Në faqen 21 të kësaj strategjie flisni për transportin duke mos e ndërlidhur fare me asnjërën nga objektivat, e dhe këtu tregohet mospërputhshmëria e plotë e strategjisë së energjisë me Agjendën e Gjelbër të BE-së, duke e përmendur si një dokument tjetër referues dhe jo si dokument parësor që drejton orientimin e Kosovës në linjë të njejtë me zhvillimet.

Në faqen 33 në këtë dokument flitet për dy strategji të tjera kombëtare, atë të trasportit dhe të industrisë. Vetëm vendet e varfëra e pa vision bëjnë me dhjetra strategji dhe strategji sektoriale që nuk bëhen në kohë dhe koordinim të plotë.

Për shembull të përcaktosh efiçiencën e energjisë si objektivë pa e pasur ligjin për ndrrtim dhe kodin e ndërtimit është me bë fjalë kot.

Në faqen 15 shkruan, citim: Kjo strategji bazohet në modelimin e sektorit të energjise elektrike duke aplikuar tregjet ndërkombtare të karburanteve ( gaz, qymyr dhe naftë). Paramendojeni çfarë rezultati del në fund kur përdorni këto parametra modelimi, veç gjelbër jo, veç efiçiencë jo dhe veç shëndet publik jo. Këta parametra dhe ky modelim rezulton në profit dhe ndotje.

Por më lejoni të përfundoj duke ju referuar metodologjisë të këtij dokumenti që është në kundërshtim të plotë me filozofinë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe premtimet e bëra. Atë që kanë berë të tjerët për 20 vite, që ne i ndryshuam në zgjedhjet e fundit, të njejtën, saktësisht të njetën e keni bërë ju me këtë strategji.

Të bazuar në njerëzit që thëngjillin e shohin si burimin shpëtues, që kanë privatizuar rrjetin e shpërndarjes dhe ju nëpërmjet komsionit për energji dhe ndikimit në gjyqësi keni liruar fajtorët për një privatizim skandaloz dhe që pamundëson qëndrueshmërinë e sistemit energjetik dhe ajo që është më e rëndësishmja mbi premtimin e dhënë se do ta vendosim shkencën dhe dijen në qendër të strategjive nuk e kemi bërë. Profesorët e Universitetit të Prishtinës, njerëzit e akademisë janë konsideruar palë konsultuese në një kornizë të bërë nga një i ashtuquajtur ekspert. Do të thotë është dështim i plotë në mobilizimin e dijes dhe resurseve vendore dhe kemi përfunduar në një dokument të cilin nuk do ta votoja asnjëherë se përveç që është i dëmshëm, është i parealizueshëm dhe me ide të stërvjetëruara dhe vizion hibrid: Flisni gjelbër dhe veproni me ngjyrë kafe!