Search

Ratifikohet në Kuvend marrëveshja e Kosovës me MCC-në

July 28, 2022


Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar të enjten marrëveshjen për Programin Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës.

Projektligji për marrëveshjen është miratuar me 89 vota në Kuvend.

Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave.

Kjo marrëveshje e miratuar, është nënshkruar të mërkurën në Uashington nga ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha ekzekutive e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Kosova nënshkruan marrëveshjen me SHBA-të për programin Kompakt të MCC

Lexo më shumë

Vlera e përgjithshme e Programit Kompakt është 236.7 milionë dollarë dhe përqendrohet në projekte të energjisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, teksa e ka prezantuar projektligjin në Kuvend, ka thënë se marrëveshja siguron “grantin më të madh të njëhershëm në historinë e Kosovës së pasluftës”.

“Përmes këtij projekti, po rreshtohemi drejt de-karbonizimit të energjisë, duke ndjekur shembullin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, dhe duke i hapur Kosovës rrugën drejt integrimit euro-atlantik”, ka thënë Bislimi.

Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.

MCC-ja mëton që me këtë program të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Sipas drejtoreshës së MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me nënshkrimin e Programit Kompakt, rikonfirmohet gatishmëria e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Kosovën që të avancojë ekonomikisht dhe të ketë zhvillim të qëndrueshëm.

Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë qenë prezentë në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes.