Search

Qytetarët reagojn ndaj lajmërimit për shtrenjtimit të energjisë elektrike

March 17, 2025


Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë, ZRRE, njoftoi të premten se ka propozuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15% muajin e ardhshëm. Politikan dhe shoqata të ndyshme kanë reaguar negativisht ndaj këtij lajmërimi.

Luan Hasanaj nga organizata Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën ka bërë të ditur se është formuar një grup aktivistësh, i cili ka nisur një fushatë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Propozimi tashmë ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe në rrjete sociale, ndërsa shumë qytetarë kanë shprehur shqetësimet e tyre për koston e lartë të jetesës.

Në një postim në Facebook, Hasanaj ka bërë thirrje për mobilizim qytetar kundër këtij propozimi, duke nisur fushatën #AsnjeCentMeShume, përmes së cilës kërkohet të rritet presioni ndaj institucioneve për të mos miratuar rritjen e çmimit të rrymës.

“Miq, po e nisim një fushatë #AsnjeCentMeShume për të kundërshtuar propozimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Arsyet janë të bollshme, secili prej nesh i di”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se rritja e çmimit të rrymës do të rëndojë edhe më shumë mbi qytetarët, duke qenë se shumica e familjeve në Kosovë tashmë përballen me vështirësi ekonomike.

“Shumica e qytetarëve të Kosovës nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve! Ju lutem ta shpërndani sa më shumë hashtagun #AsnjeCentMeShume dhe të bëhet tag Zyra e Rregullatorit për Energji dhe Qeveria e Kosovës”, ka apeluar ai.

Kjo fushatë është duke marrë mbështetje të madhe në rrjete sociale, me shumë qytetarë që po e ndajnë mesazhin dhe po kërkojnë transparencë më të madhe në vendimmarrjet që ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e tyre.

Në anën tjetër, ZRrE ka mbrojtur propozimin e saj, duke argumentuar se rritja e çmimit është e domosdoshme për shkak të kostove të larta të furnizimit dhe investimeve në sektorin e energjisë. Megjithatë, kritikët e këtij propozimi thonë se një rritje e tillë do të dëmtojë më së shumti familjet me të ardhura të ulëta dhe do të përkeqësojë krizën ekonomike në vend.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse fushata #AsnjeCentMeShume do të ketë ndikim në vendimmarrjen e autoriteteve dhe nëse ZRrE do të rishikojë propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Për këtë vendim ka reaguar dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo në një postim në Facebook, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se gjatë qeverisjes së tij po bëhet ngritja më e madhe e çmimit të energjisë në historinë e Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Tani ZRRE propozon rritje tjetër prej 15% nga 1 Prilli 2025. Çfarë do të thotë kjo për faturat tuaja? Fatura e prillit 2025 për të njëjtën sasi të energjisë do të jetë 15% më e lartë se ajo e prillit të vitit 2024 dhe kjo rritje nuk është e vetmja”, ka pohuar Bajrami.

Ajo ka sqaruar se me vendim të ZRRE-së, KESCO ka nisur procedurat për të detyruar të gjitha ndërmarrjet që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të dalin në treg të hapur.

“Pse është kjo problem? Sepse kjo do të thotë rritje e shumfisht e çmimit të energjisë për këto biznese, duke marrë parasysh faktin se pas daljes në treg të hapur, këto biznese do të furnizohen me energji kryesisht nga importi, me tarifa shumë më të larta, pasi që në bazë të kontratës së privatizimit të distribucionit, KEK-u e ka obligim të furnizojë fillimisht KEDS/KESCO, duke i lënë bizneset në mëshirën e tregut të hapur dhe çmimeve të importit”, shtoi ajo.

Tutje, ajo ka pohuar se “Pas gjithë kësaj vendimi për ngritjen e tarifave edhe për 15% është krejt absurd, sepse: pasi bizneset e mëdha largohen nga KESCO, kërkesa për energji ulet, që logjikisht duhet të sjellë ulje të tarifave, por ZRRE -ja e abstrahon këtë fakt dhe vendos rritje tjetër të tarifave për 15%”.

“Sot pyetja është: kujt po i shërbejnë këto politika? Është kristal e qartë se përfituesit këtu janë vetëm KEDS/KESCO dhe tregtarët e energjisë në krye me Martin Berishajn”.

“Po qytetarët? Ata do të paguajnë 15% më shumë për fatura nga 1 prilli. Ata do të mbulojnë çmimin më të lartë të energjisë për bizneset përmes rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Pra, Qeveria/ZRRE rrit shpenzimet, bizneset rrisin çmimet dhe qytetarët paguajnë më shumë dhe jo vetëm për energji”, ka theksuar ajo.

Shqetsime për vendimin e ZRRE për kalimin e disa bizneseve në treg të hapur ka shprehur dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili ka thënë se ky vendim mund të ketë efekt zinxhiror. Sipas tij, ZRrE dhe institucionet tjera nuk janë konsultuar paraprakisht me komunitetin e biznesit.

“Biznesi e ka pritë me shqetësim [vendimin]. E para- nuk ka pasur një konsultim më të hershëm me bizneset se sa janë të përgatitura dhe kur është koha më e përshtatshme me e implementu”, ka thënë Rafuna në KallxoPërnime.

“Tani, brenda dy-tre muajve i kërkohet biznesit që prej 1 qershorit me kalu në tregun e hapur. Biznesi e ka prit me shqetësim. Ne si Odë Ekonomike këtë javë i kemi ftuar me i taku, por me kërkesë të ZRrE, sepse i kemi njoftuar edhe ata, e kemi lënë të hënën të takohemi dhe aty do t’i diskutojmë shqetësimet”, deklaroi ai.

Sipas Rafunës, efektet do të ndihen edhe në prodhim por edhe në ngritje të çmimit të produkteve.

“Ne ende nuk e kemi një stabilizim me furnizim të energjisë elektrike dhe frika është që çmimi do të jetë shumë më i lartë se që është tani. Nëse çmimi është më i lartë, do të ketë efekt zinxhiror deri te konsumatori, sepse produkti do të jetë më i shtrenjtë. Sfida tjetër, në tregun e huaj, produkti jonë nuk do të jetë konkurrent për shkak të çmimit”, ka vlerësuar i pari i Odës Ekonomike të Kosovës.

“Krejt kjo mund të ndikojë që të kemi ulje të prodhimit dhe të kemi lëvizje të biznesit dhe investimeve, sepse çmimi i energjisë elektrike është me rëndësi. Kërkesa jonë ka qenë që të ulemi së bashku e ta shohim kur është koha së bashku ta imlimentojmë vendimin” – tha ai.

/Telegrafi/