Search

Qeveria thotë se nuk do të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike

15 Tetor, 2021


Në kohën kur vendi po përballet me ngritje të çmimeve vjen një lajm i mirë nga Departamenti i Energjisë, të cilët thonë se nuk do të ketë ngritje të cmimit të energjisë elektrike në Kosovë dhe apelojnë tek qytetarët që të kursejnë sa më shumë energjinë elektrike.

Me uljen e temperaturave, kërkesa për energji elektrike është shumë më e madhe. Me rritjen e kësaj kërkese është shtuar edhe nevoja për rritjen e importit të energjisë, në kohët kur çmimet e rrymës në Evropë janë të larta.

Zyrtarë nga Minsitria e Ekonomisë tregojnë se pavarësisht kësaj krize, çmimi i rrymës në vendin tonë do të vazhdojë të jetë i njejtë.

‘Nuk shihet realisht me u bë ndonjë përmirësim i procesit tarifor apo ngritje e çmimeve aktualisht, dhe kjo ndodhë deri në fazën e ardhshme të procesit tarifor. Për vitin e ardhshëm, do të shikojmë se si do të shkojnë rrethanat. Nuk besoj se kjo krizë ka me qenë për kohë të gjatë’, ka thënë Luan Morina, drejtor i Departamentit të Energjisë.

Morina shton poashtu se do të krijohet një grup që do të përcjellë në vazhdimësi situatën me energji elektrike dhe varësisht nga rrethanat, do të merren vendimet.

‘Ne në nivel ministrie kemi biseduar edhe me qeverinë dhe jemi në procesin e analizimit të kësaj situate dhe emergjencës që e kemi, po besoj e shumë shpejt kemi me ardhë me një qëndrim për themelimin e një grupi të dedikuar, apo task force, që do të përcjellë dhe do të monitorojë në baza të rregullta situatën energjetike’, ka shtuar Morina.

Ditë më parë, edhe bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë doli me vendim se nuk do të ketë ngritje të çmimit.

Sipas qeverisë së Kosovës, ka indikacione që kriza me energji të tejkalohet në fillimin e vitit të ardhshëm.