Search

Qeveria ndalon eksportin e peletit dhe të lëndëve tjera djegëse me bazë drurin

September 21, 2022


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës, ku ka njoftuar se blloku A3 është kthyer në punë më herët sesa ishte planifikuar. Ka thënë se blloku A4 pritet të kthehet në operim në ditët e para të muajit tetor, ndërkohë që po ashtu ka bërë të ditur se Qeveria do të marrë vendim për ndalimin e eksportit të peletit dhe lëndëve të tjera në bazë drurin.

Kriza energjetike që ka kapluar vendet evropiane e ka shtyrë Qeverinë që të martën të marrë vendim për ndalimin e eksportit të peletit dhe të lëndëve të tjera djegëse me bazë drurin.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në kuadër të një vizite të saj në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Me rikthimin e A3, Kosovës iu shtuan edhe 125 megavat prodhim

“Duke qenë se e kemi analizuar situatën në treg dhe kemi parë që ka një rritje të çmimeve që nuk arsyetohet me rritjen e kostos së prodhimit dhe nga ana tjetër kemi një mungesë peleti në treg në krahasim me vitet e kaluara dhe në krahasim me nevojën, andaj si hap i parë kemi vendosur që të ndalojmë eksportin e peletit dhe lëndëve djegëse të tjera me bazë drurin. Ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pritet që shumë shpejt të sjellë në Qeveri dhe pastaj në Kuvend për ratifikim Ligjin për Produktet Esenciale-rregullimin e çmimeve të produkteve esenciale në të cilën është përfshirë edhe peleti”, ka thënë ajo.

Ministrja Rizvanolli po ashtu ka bërë të ditur se pas katër ditësh sa ishte jashtë funksionit, blloku A3 i termocentralit “Kosova A” është rikthyer të martën në funksion duke i shtuar 125 megavate energji.

Blloku A4 rikthehet në punë në tetor

Më tej, Rizvanolli shtoi se bllokun A4 pritet të rikthehet në muajin tetor.

“Siç u informuam se njësia A4 të kthehet në operim në ditët e para të tetorit dhe besojmë se kjo kohë e rikthimit të kthehet më shpejtë, siç ndodhi me rikthimin e bllokut A3. Duhet në maksimum që të kursejmë sa më shumë. Kemi filluar si qeveri me masa detyruese për institucionet publike”, tha ajo.

Gjatë dimrit mund të ketë reduktime, kërkohet kursimi i rrymës

Ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë për reduktime të energjisë gjatë dimrit, tek ka shtuar se kriza energjetike këtë vit është më e rëndë sesa ajo e fundvitit të kaluar, duke iu bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë.

“Përderisa vitin e kaluar si rezultat i rritjes së kërkesës në periudhën pas pandemisë ka shkaktuar rritje të çmimeve në treg, sivjet jemi në një situatë shumë më të rëndë ku për shkak të luftës në Ukrainë dhe përdorimit të gazit dhe energjisë si armë nga ana e Putinit, kemi mungesa në treg duke përfshirë edhe ndaljen e gazit, e të cilat e bëjnë në një masë dimrin e paparashikueshëm dhe gjithashtu e bëjnë të qartë se dimri do të jetë i vështirë jo vetëm për ne, por për tërë Evropën”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli njëkohësisht ka njoftuar se ka kërkuar nga KEDS-i që ta bëjë maksimumin për ndalimin e vjedhjes së energjisë.

Po vazhdon shkëmbimi i energjisë me Shqipërinë

Përveç me Shqipërinë, Kosova nuk ka marrëveshje me shtetet e tjera për shkëmbim të energjisë. Por, ministrja Rizvanolli ka thënë se janë duke diskutuar edhe me to.

“Ne kemi pasur diskutime në nivel politik me Republikën e Maqedonisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Me Republikën e Maqedonisë dhe Bullgarinë janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë negociatat në nivel teknik të operatorëve për të marrë mundësitë qoftë për këmbim apo blerje… Aktualisht nuk kemi (marrëveshje)… Jo, nuk e kemi, siç e thashë, Maqedonia ka qenë në negociata deri para disa ditësh, nuk e di nëse është përfunduar një marrëveshje e tillë”, ka shtuar ajo.