Search

Qendra historike e Prizrenit pa tela?!

April 23, 2021


Qendra historike e qytetit të Prizrenit do të bëhet me rrjet nëntokësor të kabllove të rrymës elektrike.

KEDS ka njoftuar se ka filluar punimet me hov të madh në qendrën historike të Prizrenit.

‘Shtyllat janë duke u larguar tërësisht dhe kjo qendër historike do të marrë pamje krejt tjetër. Ky projekt po implementohet në kuadër të projekteve që kanë për qëllim vendosjen e rrjetit nëntokë në qendrat e qyteteve’, ka shkruar KEDS në rrjete sociale.

E lajmi për fillimin e projektit të KEDS në Prizren është konfirmuar edhe nga kryetari Mytaher Haskuka në rrjete sociale.

‘Tanimë KEDS ka filluar punimet për jetësimin e një projekti shumë të rëndësishëm, të futjes së kabllove të rrymës elektrike, dhe të atyre të internetit dhe të televizorëve, në rrjet nëntokësor’, ka shkruar kryetari Haskuka në rrjete sociale.

Ai ka thënë se për shkak të krizës pandemike, KEDS ka filluar projektin me pak vonesë.

‘Ky projekt, ka filluar me vonesë për shkak se kemi pritur që KEDS t’i bëjë përgatitjet e duhura dhe t’i fillojë punimet, që u vonuan për shkak të pandemisë. Plani dinamik i punimeve pritet të zgjasë për rreth 40 ditë, ndërkaq kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve për këtë periudhë të punimeve për këtë projekt, i cili do të krijojë një pamje edhe më të bukur për qytetin tonë’, ka shkruar kryetari Haskuka në rrjete sociale.