Search

Qasja në nënstacionin e Vallaçit për institucionet kosovare, nuk është ende e mundur

05 Mars, 2024


Ndonëse rryma në katër komunat veriore ka nisur të faturohet që nga 1 janari, sistemi energjetik brenda territorit vazhdon të mos kontrollohet tërësisht nga ana e institucioneve të Kosovës.

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut, vazhdon të mos ketë qasje në nënstacion e Vallaçit. Këtu gjatë së premtes, nuk u panë as punëtorë, derisa hyrja brenda nuk ishte e mundur. Brenda rrethojave të nënstacionit më verior të Republikës, ishin të parkuara disa vetura pa ndonjë logo.

Megjithëse, KOSTT-i njoftoi se ka nisur procedurat, nuk dha ndonjë përgjigje konkrete se kur pritet të ketë qasjes fizike.

“KOSTT-i ka themeluar Grupin Punues dhe ka njoftuar ZRRE-në, në lidhje me autorizimet për qasje dhe analizë. KOSTT-i, gjithashtu, ka përgatitur Planin Aksional, përfshirë veprimet konkrete të nevojshme rreth qasjes fizike dhe analizave të gjendjes së aseteve të transmetimit të KOSTT-it, në pjesën veriore të Sistemit të Transmetimit të Kosovës. Për më shumë, ju lutem drejtohuni ZRRE-së dhe Qeverisë së Kosovës, si organe kompetente për mbikëqyrjen e procesit për respektimin e Udhërrëfyesit”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Por, Zyra e Rregullatorit për Energji konfirmoi se vendimi për qasje është në kompetencën e plotë të KOSTT-it.

“Sa i përket autorizimit për qasje në nënstacionin e Vallaçit, ju informojmë se në përputhje me kapitullin III të Ligjit për Energji Elektrike, Operatori i Sistemit të Transmetimit mban në pronësi sistemin e transmetimit dhe është përgjegjës për operimin e këtij sistemi në Republikën e Kosovës, në pajtim me Licencën e lëshuar nga Rregullatori”, thuhet në njoftimin e ZREE-së.

Ky stacion vlerësohet i rëndësishëm meqë përmes tij bëhen të gjitha shkëmbimet energjetike me Serbinë. Gjendja jo e mirë teknike e nënstacionit që gjendet në periferi të Zveçanit u konfirmua edhe në planin zhvillimor të KOSTT-it teksa theksohet rreziku për sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit të konsumatorëve. Projekti për revitalizimin e njërit prej nënstacioneve të para të ndërtuara në Kosovë, është planifikuar të përfundojë në vitin 2027.

/atvlive.tv