Search

Punëtorër e KOSTT protestojnë – Kërkojnë rritje të pagave dhe ndalim të padrejtësive

August 04, 2025


Punëtorët e KOSTT-it kanë protestuar javën e kaluar, më 1 gusht, para objektit qendror të kësaj kompanie në Prishtinë, duke kërkuar rritje të pagave.

Rritje e menjëhershme e pagave, rrezikshmëria të njihet dhe të paguhet, kompensimi i orëve jashtë orarit siç e kërkon ligji, janë kërkesat kryesore të punëtorëve të operatorit të transmisionit dhe tregut, KOSTT-it, e organizuar nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve.

“Rrezikshmëria në punë”, “Orët e kompensuara”, “Udhëtimet zyrtare”, “Sistematizimi”, “Konkurset e brendshme”, Ndal padrejtësive dhe diskriminimit në KOSTT”, janë disa nga mbishkrimet në pankartat që protestuesit mbajtën në duar derisa shprehën pakënaqësitë e tyre.

Kryesindikalisti, Arben Pllana tha se punëtorët e KOSTT-it kërkojnë rritje reale dhe të merituar të pagave.

Pllana theksoi se kanë kërkuar njohjen e rrezikshmërisë në përputhje me ligjin, por sipas tij janë përballur me heshtje dhe neglizhencë. Ai tha se rreziku është real dhe duhet të kompensohet.

Një tjetër kërkesë e tyre, Pllana tha se është pagesa për punën jashtë orarit. Sipas tij, në vitin 2020 janë shpenzuar 200 mijë euro për një sistematizim që përfundoi pa sukses.

Pllana paralajmëroi se, nëse brenda një jave nuk ka reflektim nga ana e menaxhmentit, do të pasojnë protesta të vazhdueshme dhe grevë.

“Kemi kërkuar njohjen e rrezikshmërisë në bazë të ligjit kemi hasur në heshtje të neglizhuar. Rreziku ekziston dhe duhet të paguhet. Kërkesa e tretë kompensimi jonë jashtë orarit”, tha Pllana.

Edhe kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica theksoi se është e domosdoshme që kuadrot profesioniste të mbahen brenda sistemit energjetik, duke i quajtur ata asetet kryesore të kompanisë.

Ai tha se pa punonjësit nuk mund të ketë energji dhe i bëri thirrje bordit të KOSTT-it që të ulet në bisedime me sindikatën për të negociuar rritjen e mirëqenies së tyre.

Llumnica shtoi se janë të vetëdijshëm për ndikimin e inflacionit dhe paralajmëroi vazhdimin e protestave dhe grevave deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Është e nevojshme dhe e domosdoshme që t’i ruajmë këto kuadro brenda sistemit energjetik. Jeni aseti kryesor i kësaj kompanie. Pa juve nuk mund të ketë energji. I bëjmë kutie bordit të KOSTT-it të bisedojnë me sindikatën dhe të negociojnë për ngritje të mirëqenies. E dinë që inflacioni ekziston. Ne do të vazhdojmë me protestë e grevë deri në realizimin e kërkesave që i kemi”, tha Llumnica.

/KP