Pse ndërtuesit e superjahteve po investojnë tek energjia diellore
October 16, 2023

Industria e lundrimit ka ndikime të mëdha në mjedis, duke çliruar dioksid karboni, okside azoti dhe okside squfuri në ajër dhe rrugët ujore
Përdoruesit e parë të teknologjisë po investojnë në një lodër të re: jahte elektrike me energji diellore. Në gjithë botën, superjahtet janë tani domosdoshmëri për njerëzit e pasur dhe të famshëm.
Sipas “State of Yachting Report” të “SuperYacht Times”, janë rreth 5555 jahte që lundrojnë në oqeanet dhe detet e botës. Blerësit e rinj janë kryesisht amerikanë, ku sipas raportit 30% janë nga Amerika e Veriut.
Edhe pse është magjepsëse, industria e lundrimit ka ndikime të mëdha në mjedis, duke çliruar dioksid karboni, okside azoti dhe okside squfuri në ajër dhe rrugët ujore. Për të zvogëluar ndikimin në mjedis, disa anije kanë nisur të përdorin burime të energjisë elektrike.
Në Suedi, “ForSea Ferries” transformoi dy tragete rreth 110 metra të gjatë me motorë me naftë në versione me bateri. Megjithatë, çdo traget është i pajisur me 640 bateri që peshojnë thuajse 90 kg secila, duke rritur ndjeshëm peshën e anijeve.
Në anën tjetër, disa kompani po instalojnë sisteme me energji diellore, që mund të ulin ndjeshëm peshën e tepërt. Sipas parashikimeve të “Allied Market Research”, tregu i anijeve me energji diellore do të rritet me 14% brenda vitit 2031, duke arritur në 2.4 miliardë dollarë.
Mike Horn, eksplorues profesionist dhe aventurier, i cili ka shkuar në Polin e Veriut me një trimaran me vela, është mbështetës i këtij lloji të ndërtimit të anijeve moderne.
“Jahtet elektrike janë gjenerata e re e lundrimit. Besoj se jahtet elektrike dhe motorët elektrikë do të jenë nxitja kryesore e jahteve për turizëm, madje edhe anijeve të mallrave në të ardhmen e afërt”. “Silent Yachts”, me seli në Austri, dhe kompania polake “Sunreef Yachts” janë dy kompanitë lider në zhvillimin e kësaj teknologjie të re.
Të dyja kompanitë përdorin një teknologji të ngjashme, ku panelet diellore kapin energjinë e diellit për të rikarikuar baterinë.
Bateritë me litium furnizojnë me energji edhe pajisjet në bord, si kondicionerët dhe ndriçimin. Në rastin kur dielli nuk është shumë i fortë, çdo jaht është i pajisur me një gjenerator rezervë me naftë, që rikarikon automatikisht baterinë.
“Kur nisëm të ndërtonim këto jahte, ndërtues të tjerë na thanë se nuk kishte nevojë për një jaht të këtij lloji – deklaroi Michael Köhler, CEO dhe bashkëthemelues i ‘Silent Yachts’. – Tashmë, ky është tregu i ri i masës”.
“Silent Yachts” ndërton jahte nga themeli dhe shpesh cilësohet si “Tesla e deteve”. Köhler, së bashku me të shoqen, Heili, e themeloi kompaninë në vitin 2009.
Që atëherë, ka shitur thuajse 20 jahte tërësisht elektrike dhe aktualisht po prodhon më shumë se 30 të tillë në kantieret e tij detare në Itali dhe Turqi.
“Ne kemi gjeneratën e ardhshme të paneleve diellore që do të dalin në treg, gjeneratën e ardhshme të baterive elektrike dhe atë të motorëve elektrikë” – deklaroi Stephan Kress, drejtues i “Silent Yachts”.
“Avantazhi i jahteve elektrike do të bëhet gjithnjë e më i madh”. “Sunreef” ndërton jahte prej më shumë se 20 vjetësh dhe klientët e saj përfshijnë njerëz të famshëm si ylli i tenisit, Rafael Nadal, dhe piloti i Formula 1, Fernando Alonso.
Kompania përdor panele diellore të integruar, që i cilëson një karakteristikë “unike”.
“Synimi i paneleve diellore ishte ai i përfshirjes në gjithë strukturën e varkës” – deklaroi Nicola Lapp, bashkëthemelues dhe drejtues i “Sunreef”.
“Paneli diellor në varkën tonë mund të vendoset kudo, edhe në sipërfaqe të lakuara në trupin e jahtit”.
“Sunreef” ka dy fabrika në Gdansk, Poloni, dhe një të tretë në Emiratin e Ras Al Khaimah, ku deklaroi se po prodhon rreth 60 jahte. Pjesa më e madhe e prodhimit realizohet në fabrikë, duke përfshirë edhe atë të paneleve diellore.
“Gama e çmimeve varion nga personalizimi i jahtit – deklaroi Lapp. – Jahti më i vogël kushton rreth 1.5 milionë euro, ndërsa për jahtet më luksozë, nuk ka një limit. Jahti më i shtrenjtë që kemi shitur arrin rreth 60 milionë euro”.
Deri më sot, kompania deklaron se ka ndërtuar më shumë se 300 jahte, nga të cilët 30 tërësisht elektrikë.
Gjysma e jahteve që ndërtohen tani janë elektrike ose një model hibrid ekologjik. Një tjetër karakteristikë e rëndësishme e teknologjisë së re, sipas “Silent Yachts” dhe “Sunreef” është thjeshtësia e mirëmbajtjes së përditshme.
“Nuk kanë asnjë pjesë lëvizëse. Motorët elektrikë nuk kërkojnë mirëmbajtje. Të vetmet që kërkojnë mirëmbajtje në jaht janë pajisjet për shkëmbimin e nxehtësisë dhe gjeneratori rezervë, i cili është shumë i kufizuar”, – tha Kress.
Megjithatë, teknologjia paraqet sfida për kompanitë që kërkojnë ta përdorin atë për anije të mëdha, si anije mallrash ose kroçera.
“Mendojmë se varkat e vogla elektrike mes 15 – 37 metra janë të avantazhuara. Sapo i bëni varkat shumë më të mëdha, avantazhi i diellit zvogëlohet sepse keni një sasi të kufizuar të energjisë”, – tha Kress.
Sipas eksploruesit Horn, jahtet elektrike “kanë vendin e tyre” në treg. “Burimet e energjisë alternative, si hidrogjeni, mund ta lejojnë industrinë tonë të shkojë më larg” – tha ai.
/CNBC